Lidhje

Parlamenti i Kosovës me rezolutë për policin e arrestuar në Serbi


Parlamenti i Kosovës miratoi me 51 vota një rezolutë më të cilën kërkon lirimin e oficerit të policisë, Nehat Thaçi i cili po mbahet në burg në Serbi që nga 30 shatori.

Zoti Thaçi, drejtor rajonal i policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës, është arrestuar në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Konçul, në bazë të një urdhër arresti “të lëshuar me urdhër të Gjykatës së Lartë në Nish për veprën penale të terrorizmit”. Kjo gjykatë i ka caktuar më 30 shtator masën e paraburgimit prej 30 ditësh

Të martën dhe të mërkurën deputetët e parlamentit të Kosovës debatuan për çështjen e tij ndërsa debatet e së mërkurës ishin përqendruar në dy propozime për tekstin e rezolutës. Teksti i hartuar nga opozita kërkonte ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë deri në lirimin e zotit Thaçi, por nuk siguroi votat e mjaftueshme.

Ndërsa në tekstin e miratuar që u paraqit nga koalicioni qeverisës, kërkohet lirimi i i menjëhershëm i Nehat Thaçit. Rezoluta kërkon që Bashkimi Evropian si garantues i dialogut Kosovë – Serbi të bëjë kërkesë që të lirohet zoti Thaçi dhe gjithçka të shkojë nga zyra e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Frederika Mogerini.

Në tekstin e rezolutës thuhet se qeveria e Kosovës duhet t’ia bëjë me dije BE-së se veprimet e tilla po rrezikojnë thellë marrëdhëniet Kosovë - Serbi. Mes tjerash në rezolutë kërkohet nga policia ndërkombëtare Interpol, që policia e Kosovës të bëhet pjesë e kësaj organizate, si dhe Serbia të largojë të gjitha fletarrestet politike.

Autoritetet serbe kanë mbajtur gjykime në mungesë dhe kanë lëshuar urdhër arreste në disa raste për ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, që të mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës.

Kërkesat kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të pjesëtarëve dhe ish drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.

XS
SM
MD
LG