Lidhje

Dështon sërish mbledhja e parlamentit të Kosovës


Deputetët e parlamentit të Kosovës as në mbledhjen e së enjtes nuk arritën të përmbyllin seancën konstituive të filluar më 3 gusht.

Në fillim të mbledhjes së të enjtes, koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, kërkoi edhe një afat tjetër për të krijuar shumicën parlamentare.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se ky koalicion e ka kandidatin për kryetar të parlamentit, por nuk ka shumicën.

“Në këto javët e fundit nuk e kemi pasur shumicën prej 61 votash për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit”, tha Hoxhaj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i bëri thirrje koalicionit fitues që të propozojë një tjetër kandidat për postin e kryetarit, ndërsa theksoi që nëse ky koalicion nuk propozon kandidat, atëherë grupet tjera parlamentare duhet ta bëjnë këtë.

Mbledhja e sotme u mbyll mes polemikash të ashpra ndërmjet zotit Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Deri dje përfaqësuesit e koalicionit fitues ishin shprehur të bindur që dita e enjte do të zhbllokonte procesin, duke llogaritur në votat e Aleancës Kosova e Re të afaristit Behgjet Pacolli, i cili siç është thënë, është autorizuar nga partia e tij "të kërkojë mundësi të gjetjes së daljes nga kriza dhe të shohë mundësi të tjera alternative jashtë koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Alternativës" me të cilat kishte konkurruar në zgjedhje. Por, një ditë më parë, u tha se gjërat ishin ndërlikuar.

Sipas kushtetutës ky koalicion ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetarin e parlamentit, por lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kundërshtojnë kandidimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli.

Aktualisht është e paqartë se si do të vazhdojë procesi i ngritjes së institucioneve, ndërsa sot u hodhën ide për organizim tryezash në kërkim të një rrugëdaljeje nga kriza politike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG