Lidhje

Kosovë, shtyhet sërish ratifikimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi


Partitë politike në parlamentin e Kosovës dështuan sërish të premten të sigurojnë një pajtim për mënyrën e votimit të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. I vetmi pajtim që u arrit të premten ishte ai për shtyrjen e seancës për të mërkurën.

Kosovë, shtyhet ratifikimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:14 0:00

Shtyrja, pasoi një debat të ashpër ndërmjet kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë të cilët po e akuzojnë njëri tjetrin për bllokim të votimit.

Kryeministri Haradinaj nguli këmbë që në projektligj të futet edhe raporti i Komisionit te ri shtetëror që ishte themeluar në fillim të mandatit të qeverisë re, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës e kushtëzon votimin me largimin e këtij raporti.

Mospajtimet ndërmjet partive politike që zunë fill që në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje në gusht të vitit 2015, ende mbeten te thella.

Qeveria e Kosovës para pak ditësh tërhoqi projektligjin e vjetër dhe miratoi projektligjin e ri për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, në të cilën përfshihet edhe deklarata e përbashkët e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi Filip Vujanovic, me te cilën shprehet gatishmëria për shqyrtimin e gabimeve të mundshme.

Lëvizja Vetëvendosje përsëriti qëndrimin kundër kësaj marrëveshjeje, ndërsa Lista Serbe nuk u paraqit fare në seancë. Të enjten ky subjekt tha se çështja kufirit nuk është dakorduar me të dhe deputetët e saj nuk do ta mbështesin.

Autoritetet po bëjnë përpjekje të sigurojnë votimin e projektligjit për çështjen e kufirit me Malin e Zi, që ka ndarë skenën politike në vend për gati tre vjet. Marrëveshja është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi, por nuk është ratifikuar nga Kosova për shkak të mospajtimeve që çuan edhe në skena të dhunshme në parlament dhe jashtë tij. Kundërshtarët e marrëveshjes pohojnë se Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë. Mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje që është kusht për liberalizimin e vizave ka bërë që qytetarët e Kosovës ende të presin në radhë për viza para ambasadave evropiane.

Të mërkurën kur parlamenti mblidhet sërish, në Kosovë pritet të qëndrojë për një vizitë, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili nga 25 shkurti deri më 1 mars do të vizitojë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimorë, në dritën e strategjisë së re për zgjerim të Bashkimit Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG