Lidhje

Arrestime për sulmin në parlamentin e Kosovës


Në Kosovë autoritetet thanë se janë arrestuar gjashtë persona nën dyshimin për sulmin mbi ndërtesën e parlamentit të Kosovës në fillim të muajit gusht.

Në një njoftim të shkurtër thuhet se prokuroria e posaçme dhe njësitë e Policisë së Kosovës, kanë arritur që të “identifikojnë të dyshuarit që kanë planifikuar, organizuar dhe ekzekutuar sulmin, si dhe kanë marrë përgjegjësinë për kryerjen e tij”.

Në kumtesë thuhet se “hetimi i ndërlikuar është trajtuar me teknika dhe masa të specializuara të hetimit dhe me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë është kryer kontrolli i 6 lokacioneve në Prishtinë”.

Sipas prokurorisë gjatë kontrolleve janë “janë konfiskuar gjashtë armë zjarri: tri pushkë automatike, 2 revole, një karabinë, municione, si dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin”.

Lëvizja Vetëvendosje tha të arrestuarit janë veprimtarë të saj. Kryetari i kësaj lëvizjeje Visar Ymeri tha se "arrestimi i sotëm i gjashtë aktivistëve të Lëvizjes është akt klasik i përndjekjes ndaj kundërshtarëve politikë".

Arrestime për sulmin në parlamentin e Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:47 0:00

Ndërtesa e parlamentit të Kosovës është qëlluar më 4 gusht me një mjet shpërthyes që la pas vetes dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.

Sulmi mbi ndërtesën e parlamentit u pasua nga një bombë e pashpërthyer në oborrin e shtëpisë së kryetarit të komisionit shtetëror për shënimin e kufirit, Murat Meha, një sulm në oborrin e pasmë të Radiotelevizionit të Kosovës dhe më pas me një tjetër në pjesën e pasme të shtëpisë së drejtorit të përgjithshëm të këtij mediumi, Mentor Shala. Sulmet kaluan pa pasoja në njerëz.

Kosova po përballet tash e gati një vit me krizën më të thellë që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008, për shkak të mospajtimeve rreth një marrëveshjeje të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Më 1 shtator parlamenti i Kosovës pritet të debatojë ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi.

Opozita dhe ekspertët e pavarur thonë se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe hedhin poshtë pohimet e Komisionit Shtetërorë për kufirin se shënimi i tij është në pajtim me dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

XS
SM
MD
LG