Lidhje

Kosovë: Opozita në parlament për presidentin austriak – por me porosi


Lëvizja Vetëvendosje vendosi parulla kundër qeverisë dhe kundër bisedimeve me Serbinë, gjatë fjalimit të presidentit austriak në parlament.

Partitë opozitare në Kosovë morën pjesë në një seancë solemne të parlamentit për të ndjekur fjalimin e presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Derisa presidenti Fischer po i drejtohej parlamentit, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje shpalosën dy parulla në ulëset e tyre kundër qeverisë dhe kundër bisedimeve me Serbinë.

“Ndaloni së pranuari hegjemoninë serbe”, dhe “Ruaje shpinën President! Gënjeshtarë të korruptuar janë të ulur prapa jush", ishin mesazhet e shpalosura nga lëvizja Vetëvendosje.

Ishte kjo hera e parë për më shumë se një muaj që partitë opozitare morën pjesë në një seancë të parlamentit, të cilin janë duke e bllokuar në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në muajin gusht, me të cilat komunave me shumicë serbe u jepet një shkallë e gjerë autonomie si dhe kundër marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Partitë opozitare qenë pajtuar të marrin pjesë në seancën e sotme në shenjë nderimi për mysafirin, ndërsa paralajmëruan se të njëjtën do ta bëjnë edhe kur ne rend ditë te vihet ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, që u nënshkrua të martën në Strasburg. Kryesia e parlamentit vendosi që kjo marrëveshje të hidhet të hënën me 2 nëntor për votim në parlament.

Por, pajtimi për të marrë pjesë në këto seanca, thanë ata, nuk nënkupton që këto parti kanë ndryshuar qëndrim sa u përket marrëveshjeve.

Kundërshtimi i tyre ka bërë që partitë opozitare të mos lejojnë mbajtjen e seancave të parlamentit në të cilat u hodh gaz lotsjellës dhe të cilat u përshkuan me skena dhune për shkak të mospajtimeve.

Presidenti i Austrisë, vuri theksin tek siç tha, përparimet e Kosovës si shtet i ri që synon integrimet evropiane, ndërsa u bëri thirrje partive politike që përmes marrëveshjeve t'i tejkalojnë mospajtimet e tyre.

Diplomatët euro – perëndimorë dhe përfaqësuesit e institucioneve vendase po u bëjnë thirrje partive opozitare që të heqin dorë nga bllokimi i punës së parlamentit dhe të kërkojnë zgjidhje brenda tij për situatën e krijuar në vend.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, cila javën e kaluar hapi një seri takimesh me përfaqësuesit e partive politike në kërkim të rrugëdaljes, tha se do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjet e diskutueshme.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Beogradi pret që brenda këtij viti të hapen kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim. Por, autoritetet në Serbi janë shprehur të pakënaqura me përmbajtjen e kapitullit të 35-të të këtyre negociatave që sipas tyre përmban një numër të artikujve që paragjykojnë statusin e Kosovës dhe janë të drejtuara kundër interesave kombëtare serbe. Sipas zyrtarëve serb, në kapitullin e 35-të nuk përmendet prerazi njohja e Kosovës nga Serbia, por kapitulli e nënkupton këtë gjë. Kosova përfitoi ndërkaq marrëveshjen e stabilizim asocimit që për autoritet nënkupton hapin e parë zyrtar drejt integrimeve evropiane.

XS
SM
MD
LG