Lidhje

Kosova nderon veprimtaren Natasha Kandiç


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ndau të hënën veprimtares serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç, “Hartën e Artë të Kosovës”, në shenjë nderimi për siç thuhet, regjistrimin e të vrarëve dhe të zhdukurve në luftën e Kosovës.

Ai tha se të dhënat e publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, janë ende të dhënat më të besueshme.

“Të veprosh në një ambient të pasigurt dhe të mos i ndash viktimat në ‘të tyret dhe tonat’, por të kërkosh drejtësi për ta dhe satisfaksion moral, është jo vetëm humanizëm i pashoq por edhe guxim qytetar e njerëzor”, tha kryeministri Haradinaj gjatë ceremonisë së nderimit të zonjës Kandiç.

Në një njoftim të zyrës së tij thuhet se kryeministri “ka shprehur kënaqësinë për takimin, i cili po zhvillohet në vigjilje të Samitit të Londrës, ku pritet që vendet e Ballkanit Perëndimor ta nënshkruajnë Deklaratën e përbashkët për evidentimin, burimet e besushme dhe rrethanat e vrasjeve në luftërat e viteve ’90 në këto hapësira. Me këtë akt synohet që të mos lejohet mundësia e falsifikimit të historisë”, citohet të ketë thënë ai.

Natasha Kandiç është themeluese Qendrës për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd. Që nga viti 1992 kjo qendër ka punuar për të dokumentuar shkeljen e të drejtave të njeriut që janë bërë gjatë luftërave në ish Jugosllavi.

Në muajin shkurt senatori amerikan Roger Vicker, kryesues i Komisionit të Helsinkit dhe ligjvënësi Eliot Engel, e propozuan zonjën Natasha Kandiç dhe Fondin e saj për të Drejtën Humanitare për çminin Nobel për Paqe për vitin 2018.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG