Lidhje

Kosovë, arrestohet sërish Albin Kurti


Pamje nga arrestimi i së premtes i deputetit Albin Kurti

Policia e Kosovës arrestoi të hënën dy deputetë të lëvizjes Vetëvendosje për shkak të shkeljes së masës së arrestit shtëpiak.

Dy ditë më parë Gjykata e Apelit në Prishtinë vendosi masën e arrestit shtëpiak për deputetët e lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti e Donika Kadaj Bujupi, ndërsa la të lirë deputeten Albulena Haxhiu, të cilët qenë arrestuar të premten dhe u ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, për shkak të mosparaqitjes në procesin gjyqësor kundër tyre për hedhjen e gazit lotsjellës në parlament.

Deputetët Kurti e Kadaj Bujupi, shkelën masën e arrestit duke marrë pjesë në kremtimet e së dielës të lëvizjes Vetëvendosje e cila shpalli fitoren në zgjedhjet për pushtetin komunal në Prishtinë dhe Prizren.

Katër deputetë të lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu e Faton Topalli, akuzohen “për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

Vitin e kaluar, për më shumë se gjashtë muaj deputetët e opozitës organizuan protesta dhe bllokuan punën e parlamentit me gaz lotsjellës kundër marrëveshjeve të arritura me Serbinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG