Lidhje

Një muaj paraburgim për tre të dyshuar për terrorizëm

update

Të tre ata u arrestuan të enjten në një operacion të njësive kundër terrorizimit në Kaçanik dhe Han të Elezit në Kosovën juglindore

Një gjykatë në Prishtinë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit u shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh, tre personave të arrestuar të enjten nën dyshimin për terrorizëm.

Ilir Berisha e Jetmir Kyçyku nga komuna e Kaçanikut dhe dhe Sedat Topojani nga komuna e Hanit të Elezit, u arrestuan të enjten gjatë një operacioni të policisë në këto dy komuna rreth 80 kilometra larg Prishtinës.

Të tre ata dyshohen për përfshirje në vepra penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, rekrutim për terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Policia tha se gjatë bastisjeve janë konfiskuar pajisje elektronike, revole me gaz, materiale propagandistike, uniforma ushtarake, pasaporta, dylbi etj.

Të paktën njëri prej tyre besohet se ka qenë i angazhuar në luftën në Siri.

Më herët gjatë vitit, agjencitë e zbulimit thanë se disa qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia mund të kenë shkuar në Siri për të luftuar, ndërsa askush nuk ka numra të saktë të tyre.

Parlamenti i Kosovës miratoi në parim një projektligj që ndalon përfshirjen e qytetarëve të Kosovës që të përfshihen në luftërat jashtë vendit.

Autoritetet kanë bërë thirrje që të shmanget çdo mundësi e përfshirjes në luftën e Sirisë, ndërsa thirrjeve u është bashkuar në disa raste edhe Bashkësia Islame e Kosovës, sipas së cilës zhvillimet në lindjen e mesme dhe posaçërisht ato në Siri, nuk duhet të ndikojnë në veprimet e besimtarëve në Kosovë, duke tërhequr vërejtjen se ajo është kundër shkuarjes në luftën e atjeshme.

XS
SM
MD
LG