Lidhje

Policia e Kosovës ndalon 59 pjesëtarë të saj për shpërdorim detyre


Inspektorati Policor i Kosovës bëri të ditur se ka ndaluar 59 zyrtarë të policisë në rajone të ndryshme të Kosovës nën “dyshimet për shpërdorim të detyrës zyrtare”.

Në njoftim të këtij Inspektorati thuhet se gjatë një operacioni në shkallë të gjerë që u zhvillua në disa vende të ndryshme, janë ndaluar zyrtarë nga “njësiti për Kontroll të Autostradave, njësiti Rajonal i Trafikut të Mitrovicës së Veriut dhe të Mitrovicës së Jugut si dhe katër zyrtar policor nga njësiti Rajonal i Trafikut të Prizrenit. Nga të arrestuarit, 35 zyrtarë janë të komunitetit shqiptar, 23 të komunitetit serb dhe një nga komuniteti boshnjak”.

Sipas njoftimit, “zyrtarët janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve të cilëve me vendim të Prokurorisë u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe janë dërguar në qendrat e ndalimit. Njëkohësisht për këta zyrtarë policorë është kërkuar pezullimi nga detyra”,thuhet në njoftim.

Inspektorati bënë të ditur se ndalimi pasoi hetimet e kryera nën masa të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, ku janë grumbulluar prova materiale të cilat vërtetojnë dyshimin se një numër i madh i zyrtarëve policor nga këto njësi janë përfshirë në veprime kriminale, që ndërlidhen me veprat penale keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar dhe marrje e ryshfetit”, thuhet në njoftim.

Ky aksion është përshëndetur nga qeveria e Kosovës e cila “vlerëson se këto veprime ligjore janë dëshmi e përkushtimit të pa kompromis të institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Në komunikatën e qeverisë thuhet se “ndalimi i zyrtarëve nuk e zbeh besimin e qytetarëve te Policia, përkundrazi dëshmon profesionalizmin dhe përkushtimin e plotë të saj për luftimin e dukurive negative dhe ruajtjen e integritetit të Policisë së Kosovës”.

Ky ishte një nga aksionet më të mëdha të policisë kundër zyrtarëve të saj.

XS
SM
MD
LG