Lidhje

Kontrollohen zyrat e lëvizjes Vetëvendosje


Policia e Kosovës kontrolloi zyrat e lëvizjes Vetëvendosje pas zhvillimeve të së enjtes në parlamentin e Kosovës

Policia e Kosovës, kontrolloi të premten në mbrëmje zyrat e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje. Kontrolli u konfirmua nga policia e cila nuk dha më shumë hollësi, ndërsa pason veprimet e një dite më parë të partive opozitare për të bllokuar punën e parlamentit, me ç’rast u hodh edhe gaz lotsjellës.

Lëvizja Vetëvendosje tha nëpërmjet në komunikate se “pa praninë e deputetëve dhe pas orarit të punës, në zyrat e parlamentit të Kosovës ka ndodhur një akt i paprecedent i ushtrimit të pushtetit autoritar. Policia e Kosovës e cila duhet të sigurojë paprekshmërinë e organit përfaqësues të sovranit, ka bastisur zyrat e deputetëve dhe të Grupit Parlamentar të subjektit më të madh opozitar në vend, lëvizjes Vetëvendosje”.

Në komunikatë thuhet se “policia përveç bastisjes, ka filluar të ushtrojë presion ndaj vetë deputetëve, duke ftuar në intervistë deputetët Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu në lidhje me aksionet e opozitës” në parlament.

“Këto ndodhi të papranueshme vijnë menjëherë pasi që kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, organizoi një takim me ambasadorët e vendeve të Kuintit, (pesë vendet kryesore euro - perëndimore). Siç duket, Kadri Veseli po e përdor takimin me ambasadorët e Kuintit për të legjitimuar shtimin e represionit dhe dhunimin e opozitës. Ish-kryetari i SHIK-ut (Shërbimi Informativ i Kosovës) u përpoq për disa ditë të përdorë maskën demokratike e paqësore, por tashmë përballë vendosmërisë së opozitës, Veseli po e shfaq sërish fytyrën e tij të vërtetë, atë të vjetrën!”

Lëvizja Vetëvendosje akuzon edhe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa për përdorim të policisë dhe gjyqësorit kundër aktivistëve dhe anëtarëve të opozitës.

Kundër kontrollit të policisë reaguan edhe dy partitë tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, të cilat vlerësojnë se kjo është “trysni politikisht të përllogaritur” mbi deputetët.

Që nga 22 shtatori partitë opozitare nuk kanë lejuar mbajtjen e seancave të parlamentit, në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë dhe shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Sipas marrëveshjeve të 25 gushtit serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha. Opozita është shprehur e vendosur që të mos pranojë e as të lejojë të zbatohen marrëveshjet që sipas tyre rrënojnë shtetin e Kosovës. Të tri partitë opozitare, thanë të premten se “shteti është në rrezik”.

Në një deklaratë të përbashkët ata thanë se vendimet e kryeministrit dhe vartësve të tij do të përfundojnë me ndarjen etnike të Kosovës, duke formalizuar dhe legalizuar ndikimin politik të strukturave ilegale të Serbisë mbi një pjesë të territorit të Kosovës. Në anën tjetër, marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi ia humb Kosovës mbi 10 mijë hektarë të territorit, thuhet në deklaratën e tri partive opozitare.

“Zhvillimet e djeshme në Kuvendin e Kosovës kanë qenë të pashmangshme. Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për shkak se Qeveria po e ndan Kosovën dhe po e fal territorin e saj. Vezët, uji dhe gazi lotsjellës nuk janë drejtuar kundër Kuvendit, as kundër ndonjë institucioni të shtetit. Janë drejtuar kundër vendimeve të gabueshme të Qeverisë, të cilat mund të zbatohen. Nën tymin e gazit lotsjellës kemi qëndruar edhe vetë, ne deputetët e partive opozitare, të përkushtuar për të mbrojtur shtetin, territorin dhe demokracinë në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Drejtuesit e institucioneve vendase dhe ambasadat euro-perëndimore dënuan veprimet e opozitës duke i bërë thirrje asaj që të heq dorë, siç thuhet, nga përdorimi i dhunës si taktikë politike.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtimin e tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, që pritet të nënshkruhet së shpejti në Bruksel.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka ftuar në një darkë joformale, javën e ardhshme, kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Takimi do të mbahet më 13 tetor dhe sipas zyrës së zonjës Mogherini synon të shqyrtojë përparimin në zbatimin e marrëveshjeve dhe vazhdimin e mëtejmë të bisedimeve.

XS
SM
MD
LG