Lidhje

Kosovë: Policia thotë se parandaloi një sulm ndaj kryeministrit


Sipas policisë, persona të paidentifikuar, synonin të hidhnin copa metali për shpimin e gomave të autokolonës në lëvizje të kryeministrit Isa Mustafa

Policia e Kosovës tha se ka parandaluar një sulm ndaj autokolonës së kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa. Në një njoftim të policisë thuhet se njësia e mbrojtjes nga afër, ka vërejtur dy persona të cilët kanë tentuar të ndalojnë/sulmojnë autokolonën në lëvizje të kryeministrit.

Në njoftim thuhet personat e dyshuar kanë ikur pas ndërhyrjes së njësisë, duke hedhur dy pako letre në të cilat janë gjetur mjete të forta, përkatësisht copëza metali, të cilat shërbejnë për shpimin e gomave, si dhe një telefon celular.

Njoftimi i sotëm pason seancën e së martës në parlamentin e Kosovës e cila u ndërpre pasi që deputetët e partive opozitare qëlluan me vezë kryeministrin Mustafa, në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve mbi telekomin, energjinë, lëvizjen e lirë dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe, të nënshkruara më 25 gusht në bisedimet me Serbinë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Sipas marrëveshjes, serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi. Opozita thotë se është e vendosur që të mos pranojë e as të lejojë të zbatohen marrëveshjet që sipas tyre rrënojnë shtetin e Kosovës.

Marrëveshjet me Serbinë çuan në shtim të tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisës dhe partive opozitare dhe që atëherë janë shënuar disa raste kur autokolona e kryeministrit është qëlluar me vezë nga veprimtarët e lëvizjes Vetëvendosje, e cila kishte shpuar edhe gomat e makinave të qeverisë.

Por, asnjëri nga subjektet politike nuk e mori përsipër autorësinë për ngjarjen e sotme.

Marrëveshjet me Serbinë ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, që pret ende nënshkrimin e Prishtinës dhe Brukselit.

XS
SM
MD
LG