Lidhje

Kosovë: Tre të arrestuar për terrorizëm


Tre veta janë arrestuar për rekrutim, nxitje, organizim, financim dhe pjesëmarrje në grup terrorist

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për terrorizëm në rajonin e Gjilanit në Kosovën lindore dhe atë të Prishtinës.

Në një njoftim të policisë thuhet se të tre ata janë arrestuar “nën dyshimin se kanë kryer vepra penale të terrorizmit, përkatësisht, lehtësimin e kryerjes së terrorizmit, rekrutimin për terrorizëm, shtytjen për kryerjen e veprave terroriste, organizimin dhe pjesëmarrjen në grup terrorist dhe financimin e terrorizmit”.

Policia nuk ka dhënë më shumë hollësi përveç që, siç thuhet, gjatë operacionit, si prova materiale, janë konfiskuar dokumente të ndryshme dhe disa pajisje elektronike.

Ditë më parë ministri i brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni i tha Zërit të Amerikës se rreth 300 shtetas të Kosovës mund të kenë shkuar në luftërat e Irakut dhe të Sirisë, ndërsa autoritetet kanë arrestuar 150 luftëtarë, nxitës dhe rekrutues të ushtarëve për në luftërat e huaja.

Mbi 20 qytetarë të Kosovës besohet se kanë humbur jetën në luftërat në lindjen e mesme.

Më 23 janar, parlamenti i Kosovës me 74 vota për dhe 12 kundër, miratoi në parim projektligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen luftërave jashtë vendit.

Projektligji parasheh dënime prej 6 muaj deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja.

XS
SM
MD
LG