Lidhje

Kosovë: Dy të arrestuar nën dyshimet për pjesëmarrje në grupe terroriste


Ilustrim
Ilustrim

Policia e Kosovës arrestoi të hënën dy shtetas të Kosovës nën dyshimin për përfshirje në grupe terroriste.

Policia tha se të dy ata u arrestuan në aeroportin e Prishtinës derisa po ktheheshin nga Lindja e Mesëm nëpërmjet Stambollit.

Sipas policisë, ata për më shumë se një vit dyshohet të kenë qenë pjesë e grupit Shteti Islamik.

Që nga viti 2013, autoritetet në Kosovë kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Fillimisht ata u ishin bashkuar forcave opozitare që luftonin për rrëzimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar Al Asaad. Por, më vonë, shumica e tyre u bashkuan me organizatat si Al Nusra apo edhe grupi i quajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet në rreth 80 sish. Rreth 50 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Autoritetet në bashkëpunim me bashkësitë fetare, agjencitë e sigurisë e organizatat e shoqërisë civile, hartuan një strategji kombëtare për “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit”, në përpjekje për të gjetur rrugët për përballje më këtë dukuri.

Në muajin mars të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftëra të huaja. Por, veprimtarët thonë se krahas veprimeve ligjore, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke vënë theksin tek edukimi dhe informimi i drejtë i qytetarëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG