Lidhje

Kosovë: Opozita ngulë këmbë në anulimin e marrëveshjeve me Serbinë


Partitë opozitare në Kosovë i thanë të martën presidentes Atifete Jahjaga se nuk do të heqin dorë nga kërkesat për anulimin e marrëveshjeve me Serbinë

Udhëheqësit e partive opozitarë në Kosovë, thanë të martën se nuk do të zhbllokojnë punën e parlamentit derisa qeveria nuk tërhiqet nga marrëveshjet e fundit me Serbinë, ndërsa tërhoqën vërejtjen se përpjekjet për mbajtje të seancave të tij vetëm mund të përkeqësojnë situatën.

Ata i bënë këto komente pas takimit me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga e cila të hënën hapi një seri takimesh me përfaqësuesit e partive politike në përpjekje për tejkalimin e situatës së krijuar në vend.

Që nga 22 shtatori, partitë opozitare pamundësuan në forma të ndryshme mbajtjen e seancave të parlamentit të Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht me të cilat komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie.

Partitë opozitare takohen me presidenten Jahjaga
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:06 0:00

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha të martën pas takimit me presidenten Jahjaga se marrëveshjet me Serbinë dhe marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi, duhet të hidhen poshtë dhe ato nuk do të gjejnë zbatim në Kosovë.

Sepse këto dy marrëveshje e rrënojnë dhe falimentojnë Republikën, dhe e cenojnë, e cungojnë edhe territorin e Republikës. Si të tilla janë të papranueshme”, tha ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se është gabim i madh të këmbëngulet në mbledhjen e parlamentit deri sa nuk është marrë vendim për anulimin e marrëveshjeve.

I kemi shpjeguar edhe presidentes se një vendim i tillë - një veprimi i tillë për ta thirrur seancën do të jete vendim për përshkallëzim të mëtejmë të gjendjes në vend”, tha zoti Haradinaj.

Ndërsa Fatmir Limaj, kryetar i Nismës për Kosovën, tha se koalicioni qeverisës nuk duhet të ndërmarrë veprime që mund ta tensionojnë situatën politike në të cilën ndodhet Kosova.

Megjithatë, kryesia e parlamentit, vendosi që të caktojë për të premten pasdite seancën e radhës. Kryetari Kadri Veseli tha se deputetët duhet t’i krijojnë mundësi njëri tjetrit për tejkalimin e situatës.

Të martën ambasada amerikane i shprehu mbështetjen presidentes Jahjaga për nxitjen e dialogut politik mes partive politike të përfaqësuara në parlamentin e Kosovës. “Parlamenti është institucioni më i rëndësishëm dhe funksioni i tij është jetik për demokracinë, përparimin, dhe sigurinë e Kosovës. Vetëm një parlament që funksionon mund të debatojë dhe miratojë masat që nevojiten për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës dhe për të siguruar që Kosova vazhdon rrugëtimin e saj drejt integrimit euro-atlantik”, thuhet në një deklaratë të ambasadës amerikanë në të cilën u bëhet thirrje të gjitha partive “që të heqin dorë nga çfarëdo kërcënimi me dhunë që është edhe i paligjshëm edhe i papërputhshëm me një shtet bashkëkohor demokratik”.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, që pritet të nënshkruhet së shpejti në Bruksel.

XS
SM
MD
LG