Lidhje

Kosovë: LDK do të kërkojë opinionin e kushtetueses për "korrigjimin e kufirit"


Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë, tha të martën në mbrëmje se është e domosdoshme të kërkojë opinionin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me deklarimet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ne Serbinë.

Kjo parti u mblodh të martën për të diskutuar "debatin dhe qëndrimet lidhur me fazën finale të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë".

Në një komunikatë të kësaj partie thuhet se Lidhja Demokratike beson se çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut dhe se ajo e vlerëson lart rolin e Bashkimit Evropian në këtë proces dhe përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe beson se të dyja këto, sidomos në këtë fazë, duhet të jenë të përfshira plotësisht në proces.

"Lidhja Demokratike e Kosovës thekson se ditëve të fundit, sidomos nga ana e Presidentit të vendit, janë bërë deklarata të pamatura, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me mandatin kushtetues të Presidentit, prandaj LDK-ja konsideron se është e domosdoshme që lidhur me këtë të kërkojë opinionin e Gjykatës Kushtetuese".

Presidenti i vendit, thuhet më tej në komunikatë "ka dështuar që të ketë funksion unifikuesi dhe garantuesi të rendit kushtetues të vendit, duke cenuar pikërisht këtë rend, me anën e qëndrimeve të tij. Lidhja Demokratike e Kosovës e përsërit edhe një herë se presidenti nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces, sepse ai nuk është mandatuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës".

Lidhja Demokratike e Kosovës ripërsërit se "kufijtë dhe subjektiviteti shtetëror i Kosovës janë përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë, Opinion e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe thekson faktin se Kosova është pranuar nga shumica e kombeve të lira të botës. Prandaj, marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet: duke mos e cenuar në asnjë formë integritetin territorial të Kosovës; duke e ruajtur karakterin unitar të shtetit të Kosovës dhe duke e respektuar frymën e Kushtetutës së Kosovës".

LDK vlerëson se dialogu duhet të udhëhiqet nga institucionet kushtetuese "pas verifikimit të legjitimitetit me anë të votës së qytetarëve të Kosovës në zgjedhje të parakohshme, meqë institucionet aktuale e kanë humbur fuqinë politike dhe legjitimitetin qytetar për ta drejtuar dhe për ta përfaqësuar Kosovën. Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme të bëhet pjesë aktive e procesit të dialogut, por vetëm pas legjitimimit qytetar përmes votës së lirë".

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që pritet të rifillojnë në shtator, do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese për normalizimin e marrëdhënieve. Por, është e paqartë se si do të duket ajo marrëveshje dhe palët kanë hedhur idetë për ndarjen tokësore të Kosovës apo shkëmbimin e territoreve, veriun e Kosovës - Serbisë në shkëmbim për luginën e Preshevës.

Që nga java e kaluar, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, nxiti shumë reagime me idenë e tij për korrigjimin e kufirit, që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë me Kosovën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG