Lidhje

Thellohen përçarjet në koalicionin qeverisës në Kosovë


Nga një mbledhje e qeverisë në muajin shkurt

Të dielën në Kosovë u regjistrua rasti i parë i vdekjes nga pasojat e pandemisë COVID-19 dhe reagimet pas njoftimi nxorën sërish në pah përçarjen e thellë në koalicionin qeverisës.

Gjatë javës mospajtimet rreth deklarimit apo jo të gjendjes së jashtëzakonshme, bënë që Kosova të përballet me krizë politike. Kryeministri Albin Kurti nuk u pajtua me kërkesën e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe të partnerit në koalicionin qeverisës, Lidhjes Demokratike për një masë të tillë. Ai shkarkoi ministrin e Brendshëm duke nxitur reagimin e Lidhjes Demokratike që tashmë ka dërguar në parlament një mocion për rrëzimin e qeverisë.

Të dielën, kryetari i Lidhjes Demokratike Isa Mustafa, në një postim në rrjetet sociale tha se para pesë ditësh kishte dhënë idenë për vendosjen e masave të jashtëzakonshme, çështje kjo që sipas tij u trajtua me konspiracion nga kryeministri.

“Problemi i tij dhe i papagajve që e rrethojnë u thjeshtëzua se kush duhet të jetë më i fuqishëm, ai apo Presidenti, por jo se si te mbyllet cikli i të gjitha masave. Bile u tentua nga të krisurit e oborrit qeveritar që kjo të cilësohet si tentim për grushtshtet”.

Zoti Mustafa tha se “as ideja për masa të jashtëzakonshme e as ajo kundër, nuk e ndali hovin virusi dhe vdekjen e parë nga ai. Prandaj, kur dëgjoj disa zyrtar të lartë qeveritar të VV-së se me çfarë papërgjegjësi flasin dhe si konstruktojnë aleanca, më vjen ta gjykoj veten për gabimin që e bëra kur e mbështeta këtë koalicion me këta njerëz që s’kanë asnjë përgjegjësi për pozitat që i mbajnë por vazhdojnë me fushatë dhe propagandë, për çfarë do t’ua kishin lakmi edhe regjimet më diktatoriale”, shkroi ai.

Nënkryetari i lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh ministër i Financave, Besnik Bislimi, kritikoi zotin Mustafa se me siç thuhet, zellin për deklarimin e gjendjes së jashtëzakonshme, përputhet me ambicien e presidentit, i cili sipas zotit Bislimi, nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe deri në çastet e fundit me 3 shkurt u përpoq ta parandalonte qeverinë e re.

“Isa Mustafa asnjëherë nuk e ka gjykuar veten që ka hyrë në koalicion me PAN-in dhe asnjëherë nuk e ka gjykuar veten që e ka bërë, me veprime korruptive, Hashim Thaçin president. Por po shohim se e gjykon veten që e ka bërë kryeministër dikë i cili fitoi legjitimitet me zgjedhje demokratike e që ka në plan të parë luftimin e krimit dhe korrupsionit, dikë në mbrojtje të të cilit janë vënë gjithë qytetarët brenda dhe jashtë vendit. Z. Mustafa duhet të heqë dorë nga asocimi me figurat e PAN-it, dhe duhet ta forcojë qeverinë e përbashkët LV-LDK në luftën kundër virusit”, shkroi zoti Bislimi.

Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila kundërshton mocionin për rrëzimin e qeverisë, bëri thirrje të dielën që situata aktuale të shërbejë për bashkim dhe jo përçarje.

“Në këtë kohë kur bota e qytetëruar po tregon solidaritet të jashtëzakonshëm ndaj njëri-tjetrit dhe kur qeveritë si dhe pushtet e opozitë anekënd botës janë bashkuar në betejën globale kundër pandemisë më të rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore, është koha që të gjithë përfaqësuesit politikë të bashkohen me mantelbardhët tanë në betejën e tyre për shpëtimin e jetëve të qytetarëve. Ne nuk mund të lejojmë që në këtë kohë tmerri të triumfojë virusi i përçarjes dhe jo forca e bashkimit ndaj së keqes. E sotmja është kohë e solidarizimit të plotë, jo e ndarjeve; është kohë e betejës ndaj virusit vdekjeprurës, prandaj heshtat tona duhet t'i drejtojmë kundër pandemisë dhe jo kundër njëri-tjetrit”, shkroi mes tjerash zonja Osmani.

Situata e re politike në Kosovë u kritikua nga vëzhgues, analistë e organizata joqeveritare, që e shohin atë si zhvillim të dëmshëm në kohë pandemie.

XS
SM
MD
LG