Lidhje

LDK-ja kërkon votimin e qeverisë së re të Kosovës – Vetëvendosje kërkon sqarime nga Kushtetuesja


Lidhja Demokratike e Kosovës kërkoi sot nga kryesia e parlamentit që të mërkurën të mbahet seanca për votimin e qeverisë së re të kandidatit të saj për kryeministër Avdullah Hoti.

Kërkesa u shtrua vetëm pak kohë pasi që Gjykata Kushtetuese e Kosovës, publikoi vendimin prej 162 faqesh me të cilin i jep të drejtë dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se tashmë kjo parti dhe partnerët e saj të koalicionit i kanë votat e mjaftueshme për miratimin e qeverisë së re.

Më 30 prill presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shpalli dekretin me të cilin i propozon parlamentit të Kosovës, Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Dekreti i tij u sfidua nga lëvizja Vetëvendosje e cila kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij nga Gjykata Kushtetuese. Të enjten më 28 maj, Gjykata i dha të drejtë dekretit të presidentit duke nxitur reagimin e lëvizjes Vetëvendosje e cila e cilësoi të padrejtë dhe të papranueshëm. Kjo lëvizje kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të reja dhe e quan të papranueshme formimin e një qeverie të re pa fituesin e zgjedhje të 6 tetorit të vitit të kaluar.

Lëvizja Vetëvendosje i kërkoi të hënën Gjykatës Kushtetuese “që në afat sa më të shpejtë dhe në format autentik të na ofrojë të gjitha dokumentet, duke përfshirë edhe procesverbalet dhe transkriptet që pasqyrojnë procesin e shqyrtimit dhe të marrjes së vendimit”, nga ana e saj.

Dekreti antikushtetues i Presidentit nuk mund të justifikohet përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ashtu sikurse aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është vënë mbi Kushtetutën për ta arsyetuar Presidentin. Andaj si palë në këtë rast, kërkojmë të njihemi me dokumentet që dëshmojnë se mbi çfarë baze është argumentuar ajo që nuk mund të argumentohej”, thuhet në kërkesën e kësaj lëvizjeje.

Ndërkaq, zyra e kryeministrit në detyrë tha se vendimi ka kundërthënie edhe “në dispozitivin e saj. Përderisa në arsyetimin e aktgjykimit (tek përfundimet) ajo thekson se gjyqtarët me shumicë kanë votuar për përputhshmërinë e dekretit të Presidentit me “… paragrafin 4 të neni 95 të Kushtetutës”, në dispozivitin e aktgjykimit është fshirë paragrafi 4. Ky nuk mund të jetë një lëshim teknik apo riformulim gjuhësor, por është paraqitje kundërthënëse e vendimit që kanë marrë gjyqtarët. Ata ose kanë votuar për nenin 95 të Kushtetutës në tërësinë e tij ose për paragrafin 4 të nenit 95”, thuhet mes tjerash në reagimin (që të plotë mund ta lexoni këtu) në të cilin paralajmërohet një analizë e hollësishme për të sqaruar siç thuhet

Çfarë thuhet në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës?

1. Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

2. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

3. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

4. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.

5. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.

6. Anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit. Teksti i betimit rregullohet me ligj.

absurditetin e këtij vendimi të cilin nuk mund ta pranojmë”.

Më 25 mars Lidhja Demokratike rrëzoi qeverinë e koalicionit të saj me lëvizjen e Vetëvendosje përmes një mocioni të mosbesimit. Mocioni pasoi mospajtimet e thella ndërmjet ish partnerëve të koalicioni rreth trajtimit të tarifave ndaj mallrave serbe, të cilat më 31 mars u hoqën nga qeveria në detyrë e kryeministrit Albin Kurti dhe u zëvendësuan më masa të reciprocitetit. Lidhja Demokratike kërkoi që të veprohet sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara për heqjen e plotë të tarifave pa masa tjera.

Të dielën qeveria në detyrë forcoi masat e reciprocitetit dhe tash e dy ditë me radhë asnjë maune me mallra serbe nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk shkruan Republika e Kosovës dhe të gjitha duhet të jenë të pajisura me leje hyrëse të lëshuara nga zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi.

Që nga 31 marsi ishte lejuar që mallrat serbe të hynin me mbishkrimin Kosovë, por meqë në eksportet nga Kosova autoritetet serbe kërkuan që të vendoset mbishkrimi Republika e Serbisë, qeveria në Prishtinë vendosi të përgjigjej në mënyrë të ndërsjellë.

Vendimi i saj nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, por edhe të të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, sipas të cilit “këto veprime të njëanshme dëmtojnë rifillimin e bisedimeve dhe duhet të hiqen menjëherë”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, i cili kundërshtoi vendimin e qeverisë në detyrë, tha të hënën se “është mese urgjente që të gjitha masat që kanë cenuar raportin tonë kohëve të fundit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të largohen menjëherë, që në fillimet e qeverisë së re. Përkrahja amerikane në ekonomi, ushtri, diplomaci është jetike për të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë tonë. Kosova duhet të projektoj sigurinë dhe stabilitet me pikësynimin e qartë drejt ngadhënjimit të vlerave euro-atlantike. Unë shpresoj dhe besoj që kjo do të ndodhë në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa kandidati i Lidhjes Demokratike për postin e kryeministrit, Avdullah Hoti, tha se “qeveria e re do të koordinohet me partnerët strategjikë të Kosovës duke hequr çdo pengesë për dialog. Vetëm përmes këtij koordinimi ne e avancojmë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ia heqim Serbisë alibinë për ta zvarritur marrëveshjen për njohjen reciproke”, shkroi ai.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, shkroi ndërkaq se t’i mohosh Kosovës parimin e reciprocitetit “do të thotë t’i mohosh asaj ushtrimin e të drejtave të saj sovrane. Kosova dëshiron marrëdhënie të drejta me fqinjët. Bisedimet zhvillohen ndërmjet të barabartëve dhe Serbia duhet ta shoh Kosovën si të barabartë në çdo tryezë”, shkroi zoti Kurti.

Qëndrimi i kryeministrit në detyrë u mbështet nga kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, në dorën e së cilës është vendimi se kur do të mblidhet kryesia e parlamentit për të caktuar seancën e votimit të qeverisë së re, ngritjen e së cilës ajo e ka kundërshtuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG