Lidhje

AAK kandidon Ramush Haradinajn për postin e presidentit të Kosovës


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se është autorizuar nga Këshillit Drejtues i kësaj partie që të zhvillojë negociata për zgjerimin e mundshëm koalicionit aktual qeverisës dhe ka marrë besimin e këtij këshilli që të jetë kandidat për postin e presidentit të Kosovës.

Ai i bëri këto komente në një postim në llogarinë e tij në facebook pas një takimi të strukturave udhëheqëse të partisë së tij ku u diskutuan “zhvillimet politike dhe qeverisëse në vend, me theks të veçantë tek menaxhimi i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike, dialogu Kosovë-Serbi dhe mbarëvajtjen e koalicionit qeverisës”.

Ai theksoi se partia e tij qëndron fuqishëm në përkrahjen e menaxhimit efektiv të pandemisë, duke përkrahur bizneset dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve, me masa të propozuara nga ekspertët shëndetësor.

Gjithashtu në dialogun me Serbinë, ne jemi për marrëveshje që sjell njohjen në kufijtë ekzistues, duke ruajtur karakterin unitar të Kosovës së 17 shkurtit. Me jemi kundër dialogut teknik, i cili për më shumë se një dekadë i ka shkuar në favor vetëm Serbisë, duke e lënë Kosovën të izoluar”, shkroi ai duke falënderuar Këshillin Drejtues, “për autorizimin që me dhanë, që në emër të Aleancës të zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, thuhet në postimin e tij.

Mandati i presidentit aktual Hashim Thaçi, skadon në fillim të vitit 2021, ndërsa ai është në pritje të një vendimi nëse aktakuza e Prokurorisë së Posaçme të Kosovës për krime lufte më seli në Hagë do të hidhet poshtë apo do të konfirmohet. Presidenti Thaçi ka deklaruar se do të japë dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza kundër tij.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tha se “mund të kemi rrethana të reja sa i përket situatës me zgjedhjen e presidentit të Kosovës për shkak se edhe nëse nuk do të ketë konfirmim të aktakuzës për presidentin Thaçi e që ne të gjithë njëzëri shpresojmë që nuk do të konfirmohet ajo aktakuzë, prapë se prapë, për 4 ose 5 muaj duhet të hyjmë në proces të zgjedhjes së presidentit dhe Aleanca nuk mendon se vendi duhet të shkojë në zgjedhje për shkak se nuk do të mund të arrijmë ta zgjedhim presidentin e ri".

Marrëdhëniet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës të Lidhjes Demokratike me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe pakicat kombëtare, u dukën të lëkundura kohëve të fundit posaçërisht për shkak të mospajtimeve rreth mënyrës së udhëheqjes së bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ky koalicion i cili u miratua në parlament më 3 qershor, vlerësohet i brishtë për shkak të votave të pakta dhe situata në vend ka bërë që të hapen diskutimet për mundësinë e zgjerimit të tij më Partinë Demokratike të Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG