Lidhje

Kosovë, debate për krizën e paralajmëruar energjetike


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa u bëri thirrje të mërkurën të gjitha palëve të përfshira në mbarëvajtjen e sistemit energjetik të vendit që t’i marrin të gjitha masat që Kosova të mos mbetet pa energji elektrike.

Ai i bëri këto komente në mbledhjen e qeverisë, në të cilën u diskutuan paralajmërimet e drejtuesve të Korporatës Energjetike të Kosovës, që nëse nuk përfundon procesi i shpronësimit të tokave ku duhet të hapen mihjet e reja të qymyrit, Kosova mund të përballet brenda pak ditësh me mungesë të energjisë elektrike.

Problemi i shpronësimeve të tokave afër termocentraleve të Kosovës rrjedhë që nga viti 2013 kur është dashur që banorët e zonës të largohen dhe të kompensohen. Por, pikërisht kompensimi kishte zvarritur procesin.

Korporata Energjetike e Kosovës dhe institucionet qendrore kanë akuzuar njëra tjetrën.

Kryeministri Isa Mustafa, tha se kjo çështje duhet të përmbyllet sa më parë meqë varësia nga importi do të kishte një kosto shumë të lartë për vendin.

“I kemi sugjeruar KEK-ut që të ndërmarrin të gjitha masat, gjatë kësaj periudhe deri me datën 10, të negociojnë me palët. Dhe po ashtu do të ishte shumë mirë që edhe palët, qytetarët, të tregojnë gatishmërinë e tyre, që t’i zgjidhin këto probleme, përmes këtij procesi të negocimit, në të cilin do t’i realizojnë të drejtat e tyre ligjore që u takojnë dhe me vendimin përfundimtar që merr qeveria për shpronësim. Por, në këtë rast do t’i ndihmonin dhe KEK-ut dhe vendit, që mos të kemi pengesa në mihjen sipërfaqësore atje”, tha kryeministri Mustafa.

Zyrtarë të ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thanë se janë duke kryer pjesën e tyre të punës, ndërsa bën thirrje që Korporata Energjetike e Kosovës të përshpejtojë bisedimet me pronarët e tokave, kompensimin e të cilëve duhet ta bëj korporata.

Ndërkohë, grupe punëtorësh të Korporatës Energjetike të Kosovës protestuan sot në Prishtinë pas paralajmërimeve se termocentralet e Kosovës mund të pushojnë së prodhuari energji elektrike për shkak të mungesës së rezervave të qymyrit.

Ata akuzuan institucionet e Kosovës për mosveprim ndërsa shprehën brengën për mundësinë e humbjes së vendeve të punës së rreth 5 mijë punëtorëve që kanë aktualisht termocentralet e Kosovës.

Mundësia që Kosova të mbesë pa qymyr ka nxitur shumë pakënaqësi, pasi që Kosova llogaritet si një nga vendet me rezervat më të mëdha të qymyrit në botë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG