Lidhje

Kosovë: Presidenti Thaçi kërkon hetime për librat me përmbajtje anti-semite


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga organet përgjegjëse që të fillojnë hetimet për shitjen e librave me përmbajtje anti-semite në rrugët e Prishtinës.

Kërkesa e tij pasoi një letër nga Ido Daniel, një ekspert izraelit i antisemitizmit dhe racizmit dhe Shimon Samuels nga Qendra Simon Wiesenthal, të cilët kërkuan hetimin e kësaj çështjeje.

Të dy ata kishin qëndruar në Kosovë për të marrë pjesë në një konferencë për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm në të cilën ishin diskutuar përpjekjet e Kosovës për të luftuar kundër përhapjes së urrejtjes dhe parandalimin e përfshirjes së qytetarëve të saj në organizata ekstremiste, siç është grupi militant, Shteti Islamik.

Gjatë punimeve të konferencës, Ido Daniel kishte vërejtur në qendër të Prishtinës kishte parë libra me përmbajtje anti-semite të përkthyera në gjuhën shqipe, përfshirë edhe librin "Mein Kampf" të Adolf Hitlerit.

Në përgjigjen e tij, presidenti Thaçi ka theksuar se është i shqetësuar nga "tendenca e disa individëve që të shpërndajnë ideologji kërcënuese dhe radikale në Kosovë. Këto incidente janë të rralla, dhe unë ju siguroj që kam kërkuar nga autoritetet të hetojnë menjëherë këtë incident dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm që të parandalojnë përhapjen e urrejtjes në kundërshtim me kushtetutën”, thuhet ne letrën e presidentit Thaçi.

Manifesti politik i udhëheqësit nazist Adolf Hitler, u shkrua në dy vëllime nga viti 1924 deri në vitin 1926.

Ai e filloi librin duke ia diktuar zëvendësit të tij Rudolf Hess, ndërsa ishte i burgosur për “krim politik”, pas puçit të dështuar në Mynih në nëntor të vitit 1923.

Titulli i librit që Hitleri kishte zgjedhur ishte: “Katër vjet e gjysmë kundër gënjeshtrës, budallallëkut dhe frikës". Por botuesi i sugjeroi një titull shumë më të shkurtër; "Lufta ime". Hitleri e shkroi librin kryesisht për ithtarët e nacional-socializmit.

Për shkak të përmbajtjes raciste, si dhe efektin historik të nazizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustin, "Mein Kampf" shihet si libër shumë i diskutueshëm. Kritika nuk i ishin bërë vetëm nga kundërshtarët e nazizmit. Madje edhe diktatori fashist Italian, Benito Musolini, aleat i Hitlerit, thoshte se "Mein Kampf" ishte një libër tepër i mërzitshëm dhe plot klishe.

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, vendbanimi zyrtar i Hitlerit ishte në Mynih dhe si rrjedhojë, pasuria e tij, duke përfshirë të gjitha të drejtat e autorit të librit Mein Kampf, kaloi në pronësi të shtetit të Bavarisë.

Sipas ligjit gjerman, teksti i librit Mein Kampf është bërë zotërim zotërim publik më 1 janar të vitit 2016, 70 vjet pas vdekjes së autorit.

Libri ka parë shumë botime në vende e gjuhë të ndryshme. "Mein Kampf" u botua për herë të parë në Shqipëri në vitin 2012 me një shënim se libri "Lufta ime" shërben si kujtesë se çfarë mund të sjellë ekstremizmi. Por, autoritetet shqiptare ndërhynë, duke thënë se me botimin e librit është shkelur e drejta e autorit, që zotërohet nga shteti gjerman i Bavarisë.

Në janar të këtij viti libri doli në qarkullim në Gjermani, i shoqëruar me shënime shpjeguese. Botimi u parapri nga një debat i nxehtë nëse teksti është një fushatë e neveritshme raciste apo një mjet i dobishëm edukativ. Teksti me 2 mijë faqe dhe dy vëllime doli në shitje pas tre vjet pune nga akademikët në Institutin e Mynihut për Histori Bashkëkohore.

XS
SM
MD
LG