Lidhje

Kosovë: Presidenti Thaçi përkujton viktimat serbe të luftës


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri thirrje për pajtim në Kosovë dhe ndriçimin e së vërtetës për viktimat e luftës së viteve 1998-1999

Ai qëndroi në fshatin Hoçë e Madhe të komunës së Rahovecit dhe në Suharekë në Kosovën jugperëndimore për të përkujtuar viktimat e luftës së fundit në Kosovë.

“Sapo vumë lule në këtë përkujtimore për 84 qytetarë serbë të Kosovës për të përkujtuar viktimat, pa dallim nacionaliteti. Jemi këtu për të kërkuar të vërtetën dhe për të kërkuar pajtim ”, citohet të ketë thënë presidenti Thaçi.

Duke nënvizuar se për të vërtetën kërkohet sakrificë, ai shtoi se "për pajtim, secili prej nesh duhet ngritur mbi vetveten” dhe se kjo "duhet të bëhet në emër dhe në shërbim të së ardhmes demokratike të Kosovës".

Presidenti Thaçi, kërkoi që sa më parë të zbardhet fati i të zhdukurve dhe që "të ngadhënjejë drejtësia dhe të ndodhë pajtimi".

Kosova tha ai, nuk duhet të mbetet peng i të kaluarës, por duhet të ndërtojë të ardhmen evropiane . Ai tha se gjykuar nga takimet që ka pasur me familjarët e të zhdukurve të të gjitha komuniteteve, është optimist për pajtimin në Kosovë.

“Gjatë takimeve që kam pasur me familjarë të të pagjeturve, kam mësuar një të vërtetë të dhimbshme, por edhe optimiste për të ardhmen e Kosovës. Familjarët e të pagjeturve më kanë treguar se dhimbja i ka bashkuar dhe tani janë një familje që ndan dhimbjen por edhe dëshirën për pajtim”, tha ai.

Ndërkaq në komunën e Suharekës ai nderoi familjen Berisha, dhjetëra anëtarë të së cilës ishin vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovës duke bërë thirrje për drejtësi dhe për ndriçimin e plotë të çështjes së të zhdukurve në Kosovë.

Edhe 17 vjet pas luftës, nuk dihet asgjë për fatin e rreth 1 mijë e 600 personave, pjesa më e madhe e të cilëve, të përkatësisë kombëtare shqiptare.

XS
SM
MD
LG