Lidhje

Presidenti Thaçi fali tre të dënuar për vrasjen e një familjeje në vitin 2001


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekretoi faljen e dënimit për tre persona të dënuar për vrasjen në vitin 2001 të familjes së një shqiptari, që besohej se ishte bashkëpunuar me forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Burim Ramadani, Arsim Ramadani dhe Arben Kiçina, qenë dënuar me nga 30 vjet heqje lirie në një proces të gjatë gjyqësor, nën akuzat se më 20 gusht të vitit 2001 kanë vrarë Hamëz Hajrën dhe katër anëtarë të familjes së tij në fshatin Baicë në Kosovën qendrore.

Hamëz Hajra, i cili nga shqiptarët e rajonit të tij shihej si bashkëpunëtor i regjimit të Beogradit gjatë viteve të 90-ta, ishte duke udhëtuar me makinë bashkë me gruan dhe katër fëmijë kur u qëllua më armë zjarri. Vetëm një nga fëmijët i mbijetoi sulmit.

Në vitin 2002 policia e Kombeve të Bashkuara arrestoi dymbëdhjetë persona, pjesa më e madhe e tyre ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në këtë vrasje. Në prill të vitit 2005 ata u dënuan me gjithsej 185 vjet heqje lirie, ndërsa në shqyrtimin e dytë të çështjes më 20 maj të vitit 2008, gjykata e lartë liroi pjesën më të madhe të tyre, ndërsa vërtetoi dënimet për pesë të akuzuar në vitin 2009, përfshirë Jeton Kiçinën që u dënua me16 vjet dhe Blerim Kiçinën me 11 vjet heqje lirie.

Në vitin 2002, Blerim Kiçina, kishte pranuar akuzat dhe kishte denoncuar edhe katër të tjerë të akuzuar, ndërsa më pas kishte tërhequr deklaratën e tij.

Procesi kundër tyre është ndjekur me shumë reagime, madje në vitin 2013 pati edhe një debat parlamentar rreth kësaj çështjeje.

Familjarët dhe avokatët e të liruarve thanë se falja e dënimit, nuk është vënie e drejtësisë në vend, por hap mundësinë për të kërkuar drejtësi, meqë, siç thonë, ata janë dënuar pa asnjë faj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG