Lidhje

Kosovë: Gjashtë të akuzuar për “përgatitje të veprave terroriste”


Në Kosovë autoritetet ngritën akuzë kundër gjashtë personave që ishin arrestuar në muajin korrik nën dyshimet për përfshirje në vepra të lidhura me terrorizmin

Prokuroria e posaçme e Kosovës ngriti të premten një aktakuzë kundër gjashtë personave nën dyshimet për veprën penale përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale të terrorizmit.

Sipas aktakuzës, “me datën 10 korrik 2015 në orët e vona të natës, sipas marrëveshjes paraprake, të pandehurit kanë shkuar tek liqeni i Badovcit, (rreth 5 kilometra në lindje të Prishtinës) që me ikonografinë e terrorit të organizatës terroriste ISIS, ta regjistrojnë një video propaganduese, në të cilën kanë pasur për qëllim që ta lexojnë betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste ISIS dhe ta publikojnë këtë video në internet, për të dëshmuar para botës për shtrirjen e të ashtuquajturit “Shteti Islamik në Republikën e Kosovës”.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se “me këtë qëllim të pandehurit janë pajisur me pushkë automatike AK 47 me bajonetë, me pesë karikatorë dhe 32 fishekë, si dhe me uniforma ushtarake, maska për fytyrë, dorëza dhe me flamurin e organizatës terroriste ISIS”.

Që nga viti 2013 e deri tash autoritetet kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Fillimisht ata u ishin bashkuar forcave opozitare që luftonin për rrëzimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar Al Asaad. Por, më vonë, shumica e tyre u bashkuan me organizatat si Al Nusra apo edhe grupi i quajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet në rreth 80 sish. Rreth 50 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Autoritetet në bashkëpunim me bashkësitë fetare, agjencitë e sigurisë e organizatat e shoqërisë civile, hartuan një strategji kombëtare për “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit”, në përpjekje për të gjetur rrugët për përballje më këtë dukuri.

Në muajin mars, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftëra të huaja. Por, veprimtarët thonë se krahas veprimeve ligjore, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke vënë theksin tek edukimi dhe informimi i drejtë i qytetarëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG