Lidhje

Kosovë: Bisedat e përgjuara - hapen hetimet kundër Adem Grabovcit


Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha të premten se ka vendosur fillimin e lidhur me dy vepra penale kundër Adem Grabovcit, deputet dhe ish udhëheqës i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.

Vendimi për hetim "është bazuar në ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se i pandehuri Adem Grabovci, si person zyrtar, deputet dhe kryetar i grupit parlamentar të PDK-së, gjatë vitit 2011 e tutje, ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar për ta siguruar pushtetin politik dhe ndikimin mbi procesin e vendimmarrjes brenda institucioneve, agjencive qeveritare dhe ndërmarrjeve publike të Republikës së Kosovës. Sipas njohurive të deritanishme të Prokurorit të Shtetit, Grabovci, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo persona të tjerë, me dashje ka shkelur ligjet dhe procedurat e punësimit dhe përzgjedhjes së drejtorëve dhe anëtarëve të trupave menaxhuese të ndërmarrjeve publike, të agjencive të pavarura dhe institucioneve të tjera, duke siguruar në këtë mënyrë punësimin kundërligjor për një numër të caktuar të personave".

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se në bazë të këtyre veprimeve të Grabovcit, "Prokuroria e Posaçme ka krijuar dyshim të arsyeshëm se ai ka kryer veprën penale në vazhdim: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar". Ai dyshohet se këtë vepër e ka bërë në bashkëkryerje me persona të tjerë, të paidentifikuar deri më tani.

Prokuroria thotë se ka dyshim të arsyeshëm se "Grabovci, me veprimet e përshkruara më lartë, gjatë vitit 2011 e tutje, në mënyrë të kundërligjshme ka mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve tjerë të vendit për punësim dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera pozitive, u ka dhënë përparësi personave të favorizuar mbi bazat e përkatësisë së tyre politike gjatë punësimit nëpër institucionet publike të Republikës së Kosovës. Në këtë mënyrë ka diskriminuar të drejtat për punësim të qytetarëve tjerë në bazë të kushteve të barabarta, të cilat janë paraparë me ligj".

Vendimi i prokurorisë për fillimin e hetimeve është bazuar në publikimet e përgjimeve të bisedave telefonike të Grabovcit, në gazetën në internet “Insajderi”, si dhe në disa prova të pranuara nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

"Hetimi kundër Adem Grabovcit është një hetim fillestar dhe varësisht nga rezultati, në ndjekjen penale të prokurorisë do të përfshihen të gjithë personat tjerë, për të cilët do të vërtetohet se kanë bashkëpunuar me të pandehurin Grabovci", thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Gazeta në internet, Insajderi.com, publikoi një pjesë të përgjimeve të bisedave të zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike në të cilat, sipas gazetës, shfaqet ndikimi i ushtruar nga kjo parti në emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.

Gazeta pohon se ka mbi njëmijë biseda të përgjuara telefonike të nxjerra me vendim gjykate gjatë muajve të fundvitit 2011. Në dhjetor të vitit 2012 qenë publikuar disa syresh në të cilat përfshiheshin çështje të ndryshme të veprimtarisë qeveritare e partiake.

Përgjimet kishin të bënin me rastin e ish Ministrisë së Transportit, ku subjekt i përgjimeve, me autorizimin e prokurorit të EULEX-it, ishte edhe Adem Grabovci.

Dhjetë ditë më parë ai dha dorëheqje nga posti i kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës,

Publikimi i përgjimeve nxiti shumë reagime në Kosovë. Diplomatë perëndimorë përfshirë edhe ambasadorin amerikan Greg Delaëie, kërkuan analizë të plotë e transparente. "Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”, shkroi ai në rrjetin social tëitter, pas publikimit të bisedave të përgjuara.

Partitë opozitare bënë thirrje që hetimet të çohen deri në fund, ndërsa grupe organizatash joqeveritare për ditë me radhe kanë protestuar duke kërkuar drejtësi dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

XS
SM
MD
LG