Lidhje

Kosovë: Akuzë ndaj një personi që kërcënoi presidentin Thaçi


Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti të premten akuzë ndaj një personi nga rajoni i Mitrovicës për veprën penale “kanosje” ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një njoftim të kësaj prokurorie thuhet se “i pandehuri, K.P. më 26 mars të vitit 2020 nëpërmes rrjetit social “Facebook” ka kanosur seriozisht të dëmtuarin, Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me punën e tij si person zyrtar, se do t’i shkaktoj ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit”.

Më tej në njoftim thuhet se kërcënuesi në një profil në facebook me emrin Kujtim Boletini, të cilin vet e kishte hapur, ka postuar mesazh kërcënues me këtë përmbajtje: "Sot i zhdrypa pre tavani se ne kuvend po flitet për ndarjen e Kosovës nga Hashim Broja le te din Hashim Broja a kushdo qoftë aj se Ende jemi gjallë pjesa e veriut. Nuk e lejojmë ndarjen o Hashim Broja Dije se xhumin xhum sta la me ba", duke i shoqëruar këto fjalë me dy foto të dy armëve të gjata, me ç`rast “tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth se do t`i shkaktohet ndonjë e keqe atij apo familjes së tij nga i pandehuri K.P”, thuhet në njoftim.

I akuzuari ishte arrestuar një ditë pas postimit të tij në facebook.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG