Lidhje

Një grua në Kosovë akuzohet për pjesëmarrje në grup terrorist


Prokuroria e Posaçme e Kosovës

Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti të martën aktakuzë ndaj një gruaje nën dyshimet për veprën penale “pjesëmarrje në grup terrorist”.

Sipas prokurorisë, “e pandehura J.L. më 12 shtator të vitit 2014, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS” në Siri, përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, së bashku me nënën e saj F.L, motrën L.L dhe E.K., kanë udhëtuar për në Stamboll ku edhe janë takuar me babain e saj N.L. i cili ka udhëtuar nga Aeroporti i Shkupit e më pastaj me aeroplan kanë shkuar në qytetin Gazientep afër kufirit me Sirinë. Nga atje përmes pjesëtarëve të ISIS-it, kanë kontaktuar me vëllanë e saj B.L. dhe kanë shkuar fillimisht në qytetin Gjerablus, pastaj në qytetin Sedel Faruk”.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se e akuzuara “është angazhuar në pikëpamje logjistike me përgatitjen e ushqimit, pastrimin e rrobave ushtarake si dhe është financuar nga ISIS-i, me shumën e të hollave prej nga 50-100 dollarë në muaj dhe se në këto zona të konfliktit ka kontaktuar edhe me L.M., Q.T., R.Q., A.A. Po ashtu, e pandehura ka poseduar edhe një pushkë automatike të bashkëshortit të saj. Në zonat e konfliktit ka vepruar deri në muajin gusht të vitit 2018, ku edhe është arrestuar nga forcat demokratike Siriane dhe 19 prill të vitit 2019 e njëjta është riatdhesuar në Kosovë”.

Në atë kohë, 110 persona u kthyen në Kosovë nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme në një operacion të qeverisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Prokuroria e Posaçme e Kosovës deri tash ka ngritur aktakuza ndaj të paktën 25 prej grave të kthyera dhe të paktën ndaj tri prej tyre gjykatat kanë shqiptuar dënime me kusht.

Në vitin 2015 parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që ndalon bashkimin në luftëra të huaja dhe parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie.

Që nga viti 2012 afro 400 qytetarë të Kosovës ishin përfshirë në luftërat në Siri e Irak dhe një pjesë e tyre luftuan përkrah grupit militant Shteti Islamik.

Disa dhjetëra qytetarë të Kosovës përfshirë gra e fëmijë vazhdojnë të mbeten në zonat e konfliktit.

XS
SM
MD
LG