Lidhje

Sfidat e Kosovës në luftën kundër terrorizimit, korrupsionit e krimit të organizuar


Aleksandër Lumezi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha sot se në bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare gjatë vitit të kaluar Kosova ka identifikuar grupe kriminale dhe ka parandaluar akte terroriste.

Vetëm gjatë këtij viti kemi ngritur 57 akuza me 51 persona për vepra penale që ndërlidhën me terrorizëm. Rezultatet e mira në luftimin e terrorizmit, i cili nuk është vetëm në kornizat e një trajtimi kombëtar por është ndërkombëtar, ka ndikuar që Kosova të jetë udhëheqëse në rajon në këtë drejtim”, tha ai.

Kryeprokurori Lumezi i bëri këto komente në Konferencën Vjetore të Prokurorëve, ku u tha se me gjithë arritjet në luftimin e korrupsionit dhe dukurive tjera negative, ende mbetet punë në përmirësimin e këtij organi shtetëror.

Edhe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe beteja kundër dukurive tjera negative do të jenë të vazhdueshme dhe e gjatë.

Janë bërë hapa konkretë në forcimin e sistemit prokurorial të Kosovës, mbetet përkushtimi i juaj që të zbatoni legjislacionin në fuqi, të jeni të pavarur, profesional, të paanshëm, të përkushtuar në punën tuaj, ndërkaq njohuritë tuaja të marra nga programet e ndryshme të trajnimit dhe shkëmbimit të përvojave t’i vëni në praktikë. Përballja me krimin është sfidë më vete, por beteja në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe fenomeneve të tjera negative duhet të jetë e vazhdueshme, e vendosur dhe me tolerancë zero", tha ai.

Ndërsa, zëvendës shefja e misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Collen Hyland, u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që në luftën kundër korrupsionit, të goditet pasuria e fituar nga këto dukuri.

Sondazhet tregojnë qartë se populli i Kosovës nuk ka besim në institucionet e tij të sundimit të ligjit dhe qytetarët besojnë se korrupsioni është endemik. E ardhmja e Kosovës është e lidhur direkt me aftësinë e saj dhe gatishmërinë për të luftuar korrupsionin dhe për të përmirësuar sundimin e ligjit në të gjitha fushat. Ka pasur shumë arrestime për korrupsion në vitin 2016. Kosova edhe ka bërë përmirësime në renditje të Transparency International. Por, masa e vërtetë e përparimit do të jetë ajo se çfarë do të ndodhë me këto raste gjatë vitit 2017 dhe cilat do të jenë rezultatet e fundit”, tha ajo.

Mbikëqyrës të sistemit të drejtësisë në Kosovë thonë se ky sektor vazhdon të përballet me sfida të shumta, që nga ndikimi politik e deri mos llogaridhënia. Anketa të ndryshme me opinionin publik vazhdojnë ta nxjerrin sistemin e drejtësisë si një nga fushat më të goditura nga korrupsioni.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG