Lidhje

Vetëvendosje proteston para Prokurorisë së Shtetit në Prishtinë


Lëvizja Vetëvendosje mbajti të premten një protestë para zyrës së Prokurorisë së Shtetit në Prishtinë me thirrjet për largimin e Kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi.

Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje thanë se prokuroria është vënë në shërbim të pushtetit në vend dhe e akuzuan atë për mungesë të rezultateve në ndjekjen e politikanëve të përfshirë në raste korrupsioni.

Deputetja e kësaj lëvizjeje, Albulena Haxhiu tha se Kosova nuk meriton prokurorë frikacakë.

“Aq pak punë po bëhet brenda kësaj zyre, sa që ka qenë e domosdoshme të mblidhemi në këtë protestë. Aq keq po funksionon prokuroria, sa që është i domosdoshëm mesazhi i ardhjes sonë këtu. Protesta jonë do të jetë paqësore, por fjalët tona duhet të dëgjohen. Me hajna nuk ka shtet, pa drejtësi nuk ka paqe, protestat tona do të vazhdojnë dhe do të jenë paqësore”, tha zonja Haxhiu.

Shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se korrupsioni po e fundosë vendin.

“Jemi bërë bashkë për ta ngritur një aktakuzë kolektive ndaj sistemit tonë të drejtësisë. Të akuzuarit kryesorë janë pushtetarët e korruptuar dhe prokurorët që po i amnistojnë keqbërësit”, tha zoti Konjufca.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar, ndërkaq protesta të tjera për të larguar siç thonë qeverinë dhe zyrtarët e korruptuar.

Autoritetet ndërkaq theksojnë se pushtetet janë të ndara dhe pavarësia e institucioneve të drejtësisë është e garantuar.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të kritikohet për mos ndëshkimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë.

Ambasadorët perëndimorë në Kosovë kanë shtuar kritikat kohëve të fundit ndaj institucioneve të vendit për emërimet në poste të ndryshme dhe për mungesë të rezultateve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG