Lidhje

Policë, protestues e gazetarë të lënduar nga dhuna në Mitrovicë


Dhjetëra persona në mesin e të cilëve edhe tre gazetarë pësuan lëndime gjatë protestave të së dielës në Mitrovicë .

Qetësia është rivendsour në Mitrovicë pas trazirave të dhunshme të së dielës.

Policia e Kosovës hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë grupe protestuesish në pjesën jugore të urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, të cilët u hodhën në protesta kundër bllokimit të kësaj ure nga ana e pjesëtarëve të komunitetit serb në veri.

Protestuesit që po mbanin në duar parulla “S'duam park - duam urë” dhe “Liri e lëvizjes” hodhën gurë e gjësende të forta mbi forcat e policisë dhe u vunë zjarrin makinave.


Ende nuk ka njoftime përfundimtare, por zyrtarët e policisë thanë se 13 oficerë policie dhe të paktën 10 protestues kanë pësuar plagë gjatë përleshjeve.

Forca të mëdha të KFOR-it dhe policisë së EULEX-it ishin vendosur në qendër të qytetit për të mbështetur policinë e Kosovës.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s bënë thirrje për qetësi. Në një komunikatë për medie thuhet se policia e Kosovës “qe në gjendje që të frenojë një protestë të madhe duke treguar profesionalizëm të madh, efektivitet dhe aftësi në menaxhimin e situatës”.

Forcat e KFOR-it mbështetën policinë për të penguar cdo mundësi të përleshjeve ndëretnike dhe shkallëzimin e dhunës, citohet të ketë thënë komandanti i këtyre forcave Salvatore Farina, i cili u bëri thirrje “autoriteteve lokale në jug dhe veri të Mitrovicës dhe të gjithë qytetarëve që të sillen të qetë dhe të vazhdojnë me dialogun me qëllim që të zgjidhin problemet përmes sqarimit, takimeve dhe negociatave”.

Barrikada mbi urën kryesore ishte më e madhja e barrikadave që u ngritën në korrik të vitit 2011 në shenjë kundërshtimi ndaj ndërhyrjes së forcave të posaçme të policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri.

Zëvendësimi i barrikadës së vjetër më bllokadën e re nxiti reagime të banorëve e përfaqësuesve lokal të shqiptarëve por edhe të udhëheqësve të institucioneve të Kosovës.
Trazira në Mitrovicë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:31 0:00

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës por është angazhuar në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Pjesë e marrëveshjeve në këto bisedime është vendosja e plotë e lirisë së lëvizjes në veri.

Tre gazetarë të lënduar

Shoqatat e gazetarëve në Kosovë janë shprehur të shqetësuara për sulmet ndaj gazetarëve që ndodhën gjatë protestës së të dielës në Mitrovicë. Tre gazetarë, Faton Ismaili nga Gazeta Express, Behar Mustafa nga Rrjeti Ballkanik për gazetari hulumtuese dhe Kajtaz Gecaj nga gazeta Zëri, janë lënduar gjatë protestës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në një reagim thekson se “lajmi që Behar Mustafa, gazetar i BIRN-it është sulmuar nga një grup protestuesish afër urës së Ibrit në Mitrovicë, duke e detyruar atë t`i nënshtrohej trajtimit spitalor, paraqet shqetësim për gjendjen me të cilën përballen gazetarët gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Dhuna e shfrenuar grupore ndaj gazetarit është akt i shëmtuar, qyqar dhe skandaloz i cili nuk përkon me një shoqëri të lirë dhe demokratike”.

Duke nënvizuar se sulmet ndaj gazetarëve, të çfarëdo lloj përkatësie etnike qofshin ata, janë të papranueshme, Asociacioni konsideron se aktet e tilla nuk janë të drejtuara vetëm ndaj individëve, por ndaj lirisë së medieve, fjalës së lirë dhe ndaj të drejtës së qytetarëve për të qenë të informuar.

Ndërkaq, Unioni i Gazetarëve të Kosovës i quan të orkestruara sulmet ndaj gazetarëve gjatë mbulimit të protestës në Mitrovicë.

Në reagim thuhet se ky Union “dënon këto akte qyqare të sulmeve dhe i cilëson si të papranueshëm dhe sulm mbi punonjësit e lirisë së medieve. UGK, shpreh indinjatën e tij të thellë për këtë gjest të kaq të ultë i cili nuk kontribuon aspak në të mirë të vendit”.
XS
SM
MD
LG