Lidhje

Dënohet sulmi fizik ndaj një gruaje rome në Kosovë


Organizata humanitare, udhëheqës institucionesh e partish politike reaguan me shqetësim pas njoftimeve se një grua e komunitetit rom, është sulmuar të premten në qytetin e Ferizajt.

Ky është rasti i dytë që gjatë kësaj jave njoftohet për sulme ndaj një gruaje fotografia e së cilës u shfaq nëpër rrjetet sociale gjatë kësaj jave.

Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës u bëri thirrje të premten autoriteteve shtetërore që të merren seriozisht me këtë rast.

“Kjo sjellje brutale ndaj një gruaje, e cila vjen nga komuniteti rom, e e cila është dyfish e diskriminuar, së pari si grua dhe më pastaj si komunitet pakicë, duhet ta marrë dënimin e merituar dhe të mos mbetet vetëm në suaza të deklaratave”, thuhet në reagimin e këtij rrjeti.

Policia e Kosovës i konfirmoi Zëri të të Amerikës se ka marrë një njoftim gjatë ditës se gruaja në fjalë ndodhet në sheshin e qytetit të Ferizajt, por tash për tash nuk mund të konfirmojnë nëse bëhet fjalë për sulm ndaj saj.

“Kemi pranuar një thirrje telefonike ku na kanë lajmëruar se kjo grua ndodhet në sheshin e qytetit të Ferizajt dhe ne kemi dërguar një patrullë e cila e ka marrë atë dhe e ka shoqëruar në stacionin policor, por gjatë këtij operacioni nuk kemi parë diçka të dyshimtë që konfirmon se ajo është sulmuar”, tha majori Mehmet Alihajdini nga stacioni policor i Ferizajt, duke shtuar se gruaja tani ndodhet në stacionin policor të qytetit, por nuk ka pranuar ende që të flasë.

“Ne kemi dërguar njësitet tona të hetimeve në sheshin ku e kemi marrë këtë grua dhe ata po kryejnë punën e tyre për të kuptuar me saktësi se çfarë ka ndodhur. Kemi ftuar qendrën për punë sociale dhe ata do të merren me këtë rast”, tha ai.

Policia tha më herët gjatë javës se gjithçka kishte nisur si tallje nga nxënës të shkollave të mesme, të cilët e kanë fotografuar atë duke e shpërndarë në rrjete sociale, me porosinë që duhet pasur kujdes nga ajo. Fotografia u mor edhe nga disa medie lokale.

“Policia ka verifikuar se e njëjta është riatdhesuar nga Belgjika në Kosovë në vitin 2011, dhe është trajtuar nga punëtorët e mirëqenies sociale në disa qytete të Kosovës”, thanë zyrtarët e policisë.

Njoftimi i së premtes për sulm ndaj saj nxiti shumë reagime.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkroi se “agresioni i shfrenuar i disa adoleshentëve në Lipjan dhe Ferizaj ndaj qytetarëve, për shkak të përkatësisë së tyre etnike, është i turpshëm dhe i dënueshëm. Ne, me shumë mund e sakrifica po ndërtojmë një shtet të drejtë dhe një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku të gjitha komunitetet janë të lira e të barabarta, prandaj sulmet mbi pjesëtarë të komuniteteve pakicë, bien ndesh me vlerat tona tradicionale dhe parimeve ligjore dhe nuk do të tolerohen”, shkroi ai, duke bërë thirrje për masa emergjente.

Deputeti i parlamentit të Kosovës, Albert Kinolli, e dënoi “dhunën e ushtruar ndaj gruas Rome nga personave te pa ndërgjegjshëm” dhe u bëri thirrje organeve te rendit qe të vënë sulmuesit para drejtësisë.

“I lus qytetarët që të tregojnë nivel më të lartë të tolerancës ndëretnike, mirëkuptim dhe respekt ndaj kësaj viktime te pafajshme, solidaritet, sepse nuk është kjo ajo shoqëri Kosovare te cilën e kemi ëndërruar, për të cilën kemi kontribuar dhe të cilën e duam dhe e don bota demokratike”. Shkroi deputeti Kinolli.

Ndaj këtij rasti reaguan edhe shumë udhëheqës institucionesh, partish politike e organizatash humanitare duke kërkuar mbrojtjen ne gruas së sulmuar por edhe veprime që do të shtonin ndërgjegjësimin për karakterin shumë kulturor të Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG