Lidhje

Qeveria miraton projektligjet për ushtrinë e Kosovës


Qeveria e Kosovës miratoi të enjten tri projektligje që i hapin rrugë ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se veprimi i qeverisë është ligjor dhe në bazë të kushtetutës. Ai tha se në momentin e krijimit të rrethanave të favorshme politike do të ndryshohet edhe emri i Forcës së Sigurisë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Qeveria e Kosovës miraton ligjet për ushtrinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:33 0:00

“Kjo sot nuk është konflikt, kur ka vullnet politik për ndryshime kushtetuese veprojmë më tutje. Ajo që mund të ju siguroj sot është që qeveria ka votuar forcën e vet mbrojtëse, e ka ushtrinë në këtë rast dhe kjo ka ndodhë. Parlamenti e ka pjesën e vet, presidenti pjesën e vet dhe Kosova ka ecur në këtë temë. Mos harroni ne rrugëtojmë bashkë me NATO-n dhe me aleatët tonë qe 20 vjet, pra është një dinamikë kohore dhe i ka ardhë koha me ndodhë”, tha ai.

Kryeministri Haradinaj tha se do të vazhdojnë këshillimet me faktorët ndërkombëtarë, por sipas tij miratimi i projektligjeve nuk e ka zënë askënd në befasi.

“Ne kemi paraqitur pikëpamjet tona për vazhdimësinë dhe sot askush nuk është i befasuar. Mos harroni nuk është që e kemi nxënë dikë në befasi, nuk ka faktorë vendor e ndërkombëtarë që sot është në befasi. Ne i ftojmë të gjitha qeveritë respektabile të NATO-s që ta përshëndesin këtë dhe njëkohësisht ne jemi të gatshëm jo vetëm të marrim sigurinë por edhe ta ofrojmë sigurinë. Ky është qëllimi i Kosovës, një Kosovë që është vetëm shqetësim për të tjerët nuk mjafton, duhet të kthehet në partner dhe kjo është rruga drejt partneritetit për paqe dhe drejt anëtarësimit në NATO. Moment ideal kurrë nuk ka, sot është kështu, nesër është një temë tjetër, ne i kemi dhënë 20 vjet kohë të gjithëve për të ardhur te kjo ditë”, tha ai.

Ndërsa, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se nuk ka qenë i informuar për veprimet e qeverisë ndërsa e cilësoi miratimin e projektligjeve "një mesazh të gabuar dhe në ditë të gabuar".

“Procedimi i kësaj çështjeje sot, nëse është e vërtetë, është ditë e gabuar në këtë ditë historike për Kosovën, sepse nuk kemi nevojë që me këtë mëngjes me dërgu këtë mesazh të gabuar miqve dhe partnerëve tanë evropianë”, tha ai.

Ai tha se një veprim i njëanshëm e çon në izolim vendin ndërsa një veprim i bashkërenduar i hap rrugë zhvillimit dhe lëvizjes drejt partneritetit për paqe dhe pastaj edhe në NATO.

“A kemi drejtë, kemi drejtë, a duhet të lëvizim, duhet të lëvizim por në një proces plotësisht të bashkërenduar me SHBA-në dhe NATO-n. Çdo lëvizje tjetër mund të sjellë vetëm ngatërresa dhe pështjellime politike të panevojshme por edhe ndikime negative ndërkombëtare në raport me të sotmen dhe të ardhmen e Ushtrisë së Kosovës...", tha ai.

Ambasada amerikane në Prishtinë tha se "nuk është këshilluar" për vendimin e sotëm të qeverisë. Në një komunikatë të kësaj ambasade thuhet se "Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë e kanë mbështetur të drejtën sovrane të Kosovës për ushtri dhe kanë punuar ngushtë me Kosovën rreth mënyrës për ta arritur këtë. Ne kemi këshilluar një qasje të matur që e mban Kosovën në përputhje me aleatët tanë në NATO për këtë hap të rëndësishëm. Nuk jemi këshilluar për çastin e këtij njoftimi dhe do të na duhet t’i analizojmë projektligjet për ta kuptuar qëllimin dhe efektin e tyre".

Në komunikatë thuhet me tej se përpjekjet e javëve të shkuara "janë përqendruar në ndërtimin e konsensusit të brendshëm për dialogun e rëndësishëm me Serbinë. Vazhdojmë të besojmë se normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është hapi më i rëndësishëm për përparim në të ardhmen e afërt".

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Forca e Sigurisë është forcë shumë-etnike me mbi 10 për qind të përbërjes së saj nga komunitetet jo shumicë.

Në pranverën e vitit të kaluar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, hodhi nismën për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë nëpërmjet një ligji duke nxitur reagimin e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara që kërkojnë krijimin e ushtrisë së Kosovës nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

Por këto ndryshime varen nga vota e deputetëve të pakicave kombëtare dhe tash për tash duken të pamundura për shkak të qëndrimit kundërshtues të Beogradit dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës ndaj themelimit të ushtrisë së saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG