Lidhje

Mjete shpërthyese në shtëpitë e dy pjesëtarëve të FSK-së në veri të Kosovës


Në Kosovë, policia tha se gjatë natës janë hedhur mjete shpërthyese në shtëpitë e dy pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Zubin Potok, një nga komunat me shumicë serbe në veri të vendit, por pa dëme në njerëz.

Policia tha se është vënë në përpjekje për ndriçimin e incidenteve që lanë pas vetes dëme materiale, por ende nuk dihen hollësi rreth autorëve apo motiveve të mundshme.

Incidentet u dënuan nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili nëpërmjet një deklarate tha se "sulmi me mjete shpërthyese është akt i papranueshëm që cënon jetë njerëzish dhe synon të pengojë përpjekjet për ndërtimin e një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse dhe të mbajë në tension qytetarët e vendit".

Ai u bëri thirrje organeve të rendit që sa më shpejt të kapin dhe të sjellin përpara drejtësisë autorët e sulmit, ndërsa u bëri thirrje edhe qytetarëve "të ndihmojnë autoritetet në zbardhjen e këtij akti kriminal".

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Forca e Sigurisë është forcë shumë-etnike me mbi 10 për qind të përbërjes së saj nga komunitetet jo shumicë.

Në pranverën e këtij viti presidenti i Kosovës Hashim Thaçi hodhi nismën për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë nëpërmjet një ligji duke nxitur reagimin e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara që kërkojnë krijimin e ushtrisë së Kosovës nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

Por këto ndryshime varen nga vota e deputetëve të pakicave kombëtare dhe tash për tash duken të pamundura për shkak të qëndrimit kundërshtues të Beogradit dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës ndaj themelimit të ushtrisë së saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG