Lidhje

Kosovë: Dënohet sulmi mbi autobusët më pelegrinë serbë


Udhëheqësit e Kosovës dënuan një sulm me gurë mbi autobusët me pelegrinë serbë në një fshat të Kosovës perëndimore.

Policia e Kosovës, tha se të dielën në fshatin Studenicë të komunës së Istogut janë sulmuar autobusët me rreth 170 pelegrinë serbë, të cilët kishin marrë leje për të vizituar një manastir në atë fshat.

Sipas policisë, persona të panjohur kanë qëlluar më gurë autobusët duke thyer xhamat e tyre, por incidenti ka kaluar pa dëme në njerëz.

Policia tha se po e trajton rastin si “asgjësim apo dëmtim të pasurisë” dhe ka hapur hetime të ngjeshura për të ndriçuar incidentin dhe autorët e tij.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e dënoi sulmin duke theksuar se "në shoqërinë dhe shtetin tonë, pa dallim etnik, të gjithë qytetarët tanë e gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë, të shprehjes së ndjenjave religjioze si dhe të vizitës së objekteve fetare. Cenimi i kësaj të drejte është akt i papranueshëm. Kërkoj nga organet e rendit dhe ligjit që t’i nxjerrin para drejtësisë kryesit e këtij sulmi të shëmtuar", shkroi ai në rrjetet sociale.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj tha se "sulmi në Istog, ndaj dy autobusëve me pelegrinë serbë që po e vizitonin një tempull fetar, është i papranueshëm dhe i dënueshëm, pa marrë parasysh kryesit apo motivet. Kosova dhe institucionet e saj janë të përkushtuara për paqe dhe stabilitet dhe çfarëdo sulmi mbi qytetarët është atak ndaj vlerave të përbashkëta evropiane, dhe si i tillë është në dëm të Republikës sonë! Kërkoj nga mekanizmat e zbatimit të ligjit që sulmuesit të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë", shkroi ai.

Incidenti nxiti reagimin e zyrtarëve serbë në Beograd. Shefi i zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriç, tha se sulmi "është vetëm një paralajmërim tjetër për fatin e të gjitha faltoreve serbe në Kosovë nëse mbeten pa mbrojtje dhe prandaj i bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë më seriozisht, sepse nuk është vetëm një sulm ndaj pelegrinëve, por edhe mbi simbolet e një tradite të përbashkët evropiane të krishterë dhe vlerave evropiane”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG