Lidhje

Thaçi: Tërësinë e Kosovës e garanton kushtetuta - jo deklaratat emocionale


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kritikoi të mërkurën opozitën për shkak të qëndrimit të saj kundërshtues ndaj ideve të tij për "korrigjimin e kufirit" si rrugë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në një postim në facebook, ai shkroi se që nga shpallja e pavarësisë dhe deri më sot, Kosova asnjëherë nuk ka pasur vëmendje më të madhe ndërkombëtare. Duke filluar nga SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia, Anglia dhe pothuajse të gjitha shtetet anëtare të BE-së, janë të përfshira në përpjekjet për arritjen e marrëveshjes paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Kjo marrëveshje eventuale, e cila është shumë e vështirë të arrihet, qëllim kryesor ka njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin tonë në BE, NATO dhe OKB. Pra, përderisa në njërën anë kemi të gjithë aleatët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës në mbështetje të fuqishme për arritjen e marrëveshjes paqësore me Serbinë, fatkeqësisht në Kosovë, në anën tjetër kemi një opozitë të ndihmuar nga disa zëra të vetmuar të shoqërisë civile që e konsiderojnë këtë mbështetje si qëllimkeqe për Kosovën. Nuk ka fatkeqësi më të madhe për shtetin dhe qytetarët e Kosovës kur disa parti opozitare apo individë e vendosin në pikëpyetje përkrahjen e SHBA-së dhe aleatëve tanë kryesorë".

Kjo situatë është për keqardhje, shkruan ai duke nënvizuar se "sovraniteti shtetëror dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i garantuar nga Kushtetuta jonë dhe jo nga deklaratat emocionale të atyre që as nuk e kanë idenë sesi është fituar liria dhe pavarësia e jonë. Kjo propagandë e paskrupullt e partive opozitare kundër aleatëve tanë ndërkombëtarë, e mbështjellë me panikun për gjoja cenimin e sovranitetit shtetëror, është e rrezikshme dhe e turpshme", shkruan ai.

Partitë opozitare në Kosovë synojnë që më 4 shtator të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e parlamentit të Kosovës ku do të hidhet për miratim një rezolutë që, siç thuhet "i ndalon presidentit dhe kujtdo tjetër të negociojë për tërësinë territoriale të Kosovës".

​Madje edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se do të mbështesë një rezolutë të tillë duke nënvizuar se qeveria e tij mbështet marrëveshje ligjore detyruese mes Kosovës dhe Serbisë për njohje të ndërsjellë.

"Mendoj se ajo që po thotë presidenti është në nivel të retorikës ose kundër-retorikës. Shpresoj që është ashtu, nëse është ndryshe, atëherë kemi problem serioz në Kosovë", tha kryeministri Haradinaj.

Aktualisht janë shtuar debatet rreth rrugëve të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që përfshijnë idetë për ndarje tokësore të Kosovës, shkëmbim territoresh e korrigjim kufijsh dhe dallimeve në qëndrimet amerikane e gjermane rreth kësaj çështjeje.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërkuan të dielën në një forum në Austri, mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që arrihet në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, qoftë edhe nëse ajo nënkupton ndryshim kufijsh.

Të premten, këshilltari për siguri Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen në idenë për shkëmbimin e territoreve, por nëse palët merren vesh, nuk do të qëndrojnë në rrugë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kishte biseduar të hënën me telefon me presidentin amerikan, Donald Trump lidhur më ketë çështje dhe të martën tha se "i mbështesin përpjekjet për një zgjidhje të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila ka parasysh tërësinë tokësore, që e tillë siç është sot është një vlerë e rëndësishme. Këtë e kam theksuar edhe në takimet e mëhershme me kryeministrin e Bosnjës dhe kryeministrin e Malit të Zi se duhet kujdes që lëvizjet në një territor të mos çojnë në lëvizje në territore tjera, tha kancelarja Merkel, e cila edhe më herët gjatë këtij muaji është shprehur kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan.

Të martën në Shqipëri, komisionari evropian për zgjerimin, Johannes Hahn, tha se për Bashkimin Evropian “ka vlerë qëndrueshmëria në rajon dhe duhet të mbajmë parasysh se çdo lloj marrëveshje dypalëshe nuk duhet të rrezikojë atë, por duhet të kontribuojë për më shumë qëndrueshmëri. Cilido qoftë objektivi përfundimtar, ky duhet të jetë objektivi kyç, sa më shumë stabilitet për rajonin, duke zgjidhur mirëfilli konfliktet dypalëshe”, tha zoti Hahn.

Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pritet të takohen më 7 shtator në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini.

Të mërkurën tre ish përfaqësuesit e lartë në Bosnjë, Carl Bildt, Paddy Ashdown dhe Christian Shwarz Schilling, shfaqën "shqetësimin e thellë" mbi paralajmërimet se zyrtarë te Bashkimit Evropian mund të jenë të gatshëm të mbështesin një marrëveshje ndërmjet presidentëve Thaçi e Vuçiç që përfshinë shkëmbimin e territoreve nëpërmjet "korrigjimit të kufirit".

Në një letër drejtuar zonjës Federica Mogherini ata shfaqin drojën se lëvizja e kufijve "nuk do të zgjidhë ndarjet, por do t'i thellojë ato" dhe i bëjnë thirrje asaj t'i hedhë poshtë idetë e tilla.

"Ne e njohim Bashkimin Evropian dhe Evropën mjaftueshëm për të ditur se historia e përgjakshme na ka mësuar që paqja e qëndrueshme mund të vendoset vetëm kur mësohemi të jetojmë në vende shumetnike në vend se të ri-vizatojmë kufijtë për të krijuar shtete njëetnike. Shkurt, nuk mund të mendohet ndonjë politikë tjetër që ka më shumë gjasa të na çojë në ndarje dhe konflikt në Ballkan sesa ajo që disa tani duket se po mbështesin", thuhet mes tjerash në letër në të cilën shfaqen dyshimet se " kjo rrezikon marrëveshjet si në Maqedoni, dëmton unitetin e shteteve si Bosnja, duke inkurajuar ata që dëshirojnë të shohin shkëmbimin e territoreve diku tjetër, siç është Ukraina dhe ka gjasa të çojë në eksodin e pakicave nga komunitetet e tyre ekzistuese".

Serbia është zotuar se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Por, ajo është përshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.

Afrim i zgjedhjeve në Bashkimin Evropian që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm ka shtuar trysninë mbi të dyja palët për një marrëveshje më të shpejtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG