Lidhje

Ban Ki Moon mbështet bisedimet Kosovë – Serbi


Ban Ki Moon - foto arkivi
Ban Ki Moon - foto arkivi

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së do të takojë kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë në New York përgjatë debateve për Kosovën në Këshillin e Sigurimit

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, është shprehur i inkurajuar nga përkushtimi i udhëheqësve të Beogradit dhe Prishtinës për të arritur përparim thelbësorë në bisedimet e ndërmjetësuara nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Në një deklaratë të transmetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, thuhet se, sekretari i përgjithshëm u bën thirrje të dyja palëve që të mbeten të përkushtuar ndaj arritjes së marrëveshjeve nëpërmjet zgjidhjeve të pranueshme për të dyja palët.

Ai ka nënvizuar rëndësinë e rezultateve të suksesshme në funksion të ardhmërisë së përparuar evropiane për Ballkanin perëndimor. Ai u bën thirrje të dyja palëve të qëndrojnë në binarët e negociatave më kurajo për kompromise dhe përcaktim për të vendosur qëndrueshmëri në rajon.

Sekretari i përgjithshëm pret të diskutojë me palët në New York përgjatë debateve për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, thuhet në njoftim.

Mbledhja për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbahet të premten, më 22 mars, dy ditë pas takimit të radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Aktualisht të dyja palët po debatojnë mbi mënyrën e administrimit të veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen autoritetet e Prishtinës.
XS
SM
MD
LG