Lidhje

Thaçi: Deklaratat e Nikoliçit – gënjeshtra


Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, hodhi poshtë pohimet e presidentit serb Tomislav Nikoliç se Prishtina ka lëshuar pe për veriun e Kosovës

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha sot se Prishtina nuk ka lëshuar pe lidhur me krijimin asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa akuzoi presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliç, për deklarata të pavërteta.

Komentet e tij pasuan pohimet e presidenti serb, se “Prishtina ka lëshuar pe mbi përgjegjësitë e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë”. Të hënën në mbrëmje, presidenti serb tha pas një takimi me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton se marrëveshja me Prishtinën mund të nënshkruhet në ditët e ardhshme.



Kryeministri Thaçi tha sot se pret sqarime nga Bashkimi Evropian në lidhje me takimin e udhëheqësve serbë me zonjën Ashton, ndërsa hodhi poshtë pohimet e presidentit serb.

Deklarata e Nikoliçit përveç se është një deklaratë e papjekur, është një gënjeshtër e kulluar. Ata gjithmonë humbjet i kanë shndërruar në fitore, që nga marrëveshja në Rambouillet, ajo e Kumanovës etj... Aq sa është e vërtetë deklarata e Slobodan Millosheviçit në 1999, aq është e vërtetë deklarata e Nikoliçit, që gjithnjë humbjet i tregojnë si fitore”, tha kryeministri Thaçi.

Ai i bëri këto komente gjatë raportimit para deputetëve të Parlamentit të Kosovës lidhur me takimin e tij të fundit me kryeministri serb Ivica Daçiç, që u mbajt në fillim të marsit në Bruksel.

Ai tha se është pajtuar që në veriun e Kosovës të ketë një asociacion të komunave, por ka refuzuar çdo mundësi që ai të ketë pushtet ekzekutiv, ndërsa përsëriti se nuk do të ketë kurrfarë entiteti të veçantë për serbët në veriun e Kosovës.

Beogradi ngulë këmbë në krijimin e bashkësisë së komunave serbe që do të kishin fuqi ligjvënëse dhe ekzekutive.

Të hënën në Bruksel, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton dhe udhëheqësit më të lartë të Serbisë diskutuan për më shumë se dy orë procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo tha nëpërmjet një komunikate se është diskutuar përparimi i deritashëm në bisedime, në veçanti mbi zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe nevojën e për të diskutuar çështjet e hapura, posaçërisht veriun e Kosovës në dritën e takimit të radhës që mbahet më 20 mars.
Në takim nënvizova rëndësinë e arritjes së marrëveshjeve mbi çështjet e hapura ndërmjet të dyja palëve sa më parë që është e mundur”, thuhet në komunikatën e zonjës Ashton.

Të enjten ajo pritet te qëndrojë në Prishtinë për të takuar udhëheqësit më të lartë politikë të Kosovës, përfshirë edhe opozitën. Vëzhguesit thonë se ajo do të ushtrojë trysni mbi të dyja palët për të përshpejtuar procesin e bisedimeve që do të vazhdojnë më 20 mars.

Zyrtarët evropian thonë se bisedimet ndodhen në një periudhë vendimtare dhe se të dyja palët duhet të angazhohen më shumë në arritjen e marrëveshjeve, meqë koha është e shkurtër ndrysa nga përparimi në këto bisedime varet edhe përparimi i të dyja palëve në integrimet evropiane.
XS
SM
MD
LG