Lidhje

Bisedimet Kosovë - Serbi vazhdojnë të mërkurën


Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, do të vazhdojnë të diskutojnë të mërkurën rrugët e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, i dhanë fund një raundi bisedimesh me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, për planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Ata u mblodhën të martën në një darkë pune që pasoi takimet e veçanta të zonjës Ashton me kryeministrat në përpjekje për të siguruar një pajtim ndërmjet tyre.

Bisedimet për planin do të vazhdojnë të mërkurën paradite dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh i bindur se do të arrijnë një pajtim për këtë çështje, meqë sic tha ai, koha po kalon.

Një muaj më parë, të dy kryeministrat u akorduan rreth marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve, por ndonëse ishte planifikuar që deri më 26 prill të ketë një plan për zbatimin e saj, grupet punuese të të dyja palëve dështuan të arrijnë një pajtim. Prandaj, zonja Ashton, që është edhe ndërmjetësuese e bisedimeve, vendosi të ftojë sërish kryeministrat në një takim të ri.

Marrëveshja e arritur me 19 prill u siguron serbëve në komunat veriore përgjegjësi në fushën e policisë dhe gjyqësisë dhe një shkallë të lartë autonomie në shumë fusha tjera.

Marrëveshja është mbështetur nga diplomacia euro perëndimore e cila e sheh atë si një hap të të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane.

Komisioni Evropian miratoi propozimin që Serbisë t’i jepet data e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës ajo e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Por, vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për këtë çështje që do të merret në fund të muajit qershor, varet nga zbatimi i marrëveshjes në terren.

Takimi i kryeministrave mund të sigurojë një kuadër të planit, i cili pastaj duhet të përpunohet në hollësi nga një komision i përbashkët i të dyja palëve.
XS
SM
MD
LG