Lidhje

Avancim i marrëveshjeve Kosovë – Serbi


Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë janë takuar pas një takimi në Bruksel për avancimin e zyrave ndërlidhëse dhe të lirisë së lëvizjes

Prishtina dhe Beogradi janë marrë vesh për fillimin e funksionimit të vendkalimeve kufitare që mund të mund të shfrytëzohen nga qytetarët e Kosovës dhe diaspora për të kaluar nëpër territorin e Serbisë për në vendet e treta si dhe për avancimin e funksionimit të zyrave ndërlidhëse në të dyja shtetet.

Në një komunikatë të qeverisë së Kosovës se me nga 15 nëntori 2014 do të hyjë në fuqi marrëveshja për hapjen e vendkalimeve të reja kufitare në Sid në mes të Serbisë dhe Kroacisë, në Kelebija në mes të Serbisë dhe Hungarisë, pika kufitare Gradina në mes të Serbisë dhe Bullgarisë dhe pika kufitare Presheva në mes të Serbisë dhe Maqedonisë si dhe Aeroporti i Nishit.

Ndërkaq nga data 22 shtator 2014, shtetasit e Kosovës mund të shfrytëzojnë edhe Aeroportin e Beogradit “Nikola Tesla”.

Në takimin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit janë dakorduar edhe për modalitetet e vizitave zyrtare mes përfaqësuesve të të dyja vendeve. Sipas marrëveshjes që të dy zyrat ndërlidhëse, ajo Kosovës në Serbi dhe e Serbisë në Kosovë, do të marrin përsipër që të administrojnë vizitat e zyrtarëve të shteteve përkatëse.

Ky angazhim në të kaluarën është bërë përmes Zyrave të Bashkimit Evropian në të dyja vendet, ndërsa tash e tutje do ta bëjnë zyrat ndërlidhëse në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Të dyja këto zhvillime janë pjesë e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve.

Të enjten organizata joqeveritare nga Kosova dhe Serbia, thanë se vetëm 25 për qind e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë zbatuar deri tash.

Bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i mundësuan Serbisë të fillojë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, që pritet të nënshkruhet së shpejti.

XS
SM
MD
LG