Lidhje

Kosova dhe Serbia me marrëveshje mbi marrëveshjet


Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që t'i japin fund bllokadës së transportit të mallrave që cilësohen si "të rrezikshme". Në një njoftim të ministrisë për dialog në qeverinë e Kosovës thuhet se në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës palët janë pajtuar në Bruksel që "për njohjen e ndërsjellë të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme", me të cilat pajisen automjetet dhe drejtuesit e tyre.

Kosova vendosi muajin e kaluar të bllokojë kamionët nga Serbia e cila nuk njihte certifikatat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Marrëveshja hynë në fuqi nga 25 prilli.

Në njoftim thuhet se ministrja për dialog Edita Tahiri ka ngritur shqetësimet "në lidhje me fushatën elektorale provokative të zyrtarëve të Serbisë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë si dhe ka kërkuar që Bashkimi Evropian të përcaktojë qartësisht standardet për frymën e normalizimit në mënyrë që të parandalohen shfaqjet destruktive dhe keqpërdorimet e marrëveshjes për normalizim nga ana e zyrtarëve serb gjatë fushatës zgjedhore. Në këtë kuadër me kërkesë të BE-së që palët të angazhohen për frymën e normalizimit dhe pas kërkim faljes nga ana e Marko Gjuriçit për hyrje ilegale në Kosovë, palët janë zotuar që të respektohet marrëveshja për vizitat reciproke të zyrtarëve si dhe deklarimet duhet në mënyrë rigoroze të respektojnë frymën e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve".

Në njoftim thuhet se është biseduar për çështjen e hyrjeve dhe daljeve në Kosovë me letërnjoftime "ilegale të lëshuara nga strukturat paralele". Bashkimi Evropian ka kërkuar që të krijohet një hapësirë kohore kalimtare në mënyrë që edhe ky problem të zgjidhet sa më shpejt.

Javën e kaluar ministra Tahiri kishte vendosur të ndalojë hyrjen në Kosovë të atyre që janë të pajisur me letërnjoftime të lëshuara nga strukturat paralele serbe, duke nxitur reagimin e Beogradit dhe serbëve të Kosovës.

Ndërkohë, drejtori zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha se “letërnjoftimet e Serbisë do të përdoren normalisht, ashtu sikurse edhe deri më tash'. Ai tha se Brukseli ka anuluar edhe ndalesën e hyrjes së zyrtarëve të Serbisë në Kosovë, si dhe është arritur pajtimi për mënyrën e votimit në zgjedhjet parlamentare të Serbisë më 24 prill.

Është arritur marrëveshja për mbajtjen e zgjedhjeve sipas modelit të njëjtë me vitin 2014, me praninë e OSBE-së, e cila do të garantojë që në vendvotime gjithçka të jetë në rregull, si dhe të ketë siguri”, deklaroi Marko Gjuriç.

Të mërkurën, misioni i OSBE-së në Kosovë tha se do të ndërmarrë një operacion të grumbullimit të votave në Kosovë për t’iu mundësuar personave me të drejtë vote qasje në zgjedhjet parlamentare serbe të datës 24 prill.

Kosova shpalli pavarësinë e saj të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian në shkurt të vitit 2008, por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Serbët e Kosovës marrin pjesë në votimet për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, meqë kjo u garantohet me parimin e dyshtetësisë, që është i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës.

Udhëheqësit e partive politike serbe, janë lejuar gjatë ditëve të fundit të organizojnë tubimet e tyre parazgjedhore në zonat e banuara me shumicë serbe, gjatë të cilëve ata kanë përsëritur kundërshtimin ndaj pavarësisë së Kosovës. Kjo ka bërë që një pjesë e partive politike të kërkojnë nga autoritetet që të mos lejojnë vizitat e udhëheqësve politikë serbë.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.

Tre vjet më parë, ato nënshkruan 16 marrëveshje në kuadër të bisedimeve, por deri tash, vetëm 4 syresh kanë zbatuar në terren.

XS
SM
MD
LG