Lidhje

Pas votimit për ushtrinë – parlamenti i Kosovës mblidhet për dialogun me Serbinë


Një ditë pasi votoi themelimin e ushtrisë së Kosovës, në një lëvizje që zemëroi Beogradin dhe nxiti reagime të ndryshme në skenën ndërkombëtare, parlamenti i Kosovës diskuton të shtunën mbi bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Kosovë, debat në Parlament për bisedimet me Serbinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:33 0:00

Seanca e jashtëzakonshme mbahet me “kërkesën e 42 për miratimin e projekt-rezolutës mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

Vendimi për seancë pasoi një rezolutë të hartuar nga Partia Socialdemokrate në opozitë sipas së cilës edhe ajo bëhet pjesë e ekipit negociues të propozuar nga qeveria e Kosovës. Projekt rezoluta përfshinë parimet e bisedimeve me Serbinë dhe në të kërkohet që çdo marrëveshje e mundshme të kalojë përmes parlamentit të Kosovës.

Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë pranuar të jenë pjesë e kësaj seance.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha se seanca ka për synim të dëshmojë se Kosova nuk e bllokon procesin e bisedimeve.

Vendet që mbështetën votimin për themelimin e ushtrisë së Kosovës kërkuan që Kosova t’i ripërshkutohet këtij procesi, ndërsa John Bolton, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, shkroi në twitter se një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të ndodhë sa më parë.

Deklarata e tij pasoi një takim me ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, Miro Cerar në Shtëpinë e Bardhë.

"E mirëprita ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, Miro Cerar në Shtëpinë e Bardhë sot. Si aleatë të NATO-s, ne diskutuam për interesat tona ekonomike dhe të sigurisë në Evropë si dhe nevojën që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje sa më shpejtë të jetë e mundur. Unë i vlerësova shumë qëndrimet e tij", shkroi ai.

Bisedimet tashmë kanë ngecur dhe Beogradi ka kushtëzuar vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, një vendim që qeveria e Kosovës e vendosi më 21 nëntor si kundërpërgjigje ndaj siç është thënë, fushatës agresive serbe ndaj shtetësisë së Kosovës.

Tensionet ndemjet të dyja vendeve u shtuan pas votimit të së premtes në parlamentin e Kosovës për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë, duke i hapur rrugë procesit të themelimit të ushtrisë së saj.

Forca e Sigurisë së Kosovës e cila do të vazhdojë më emrin e njëjtë, pritet të ketë 5 mijë trupa aktiv dhe 3 mijë rezervë, të armatosur lehtë.

Votimi u cilësua historik nga përfaqësuesit politik të Kosovës por edhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett. Votimi u mbështete nga Britania e Madhe por edhe Gjermania e Franca, që ritheksuan kërkesën që Kosova t’i ripërkushtohet procesit të bisedimeve.

Votimi nxitit reagimin e ashpër të Beogradit. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kërkoi mbledhje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe sulmoi Shtetet e Bashkuara, për mbështetjen e veprimeve të parlamentit të Kosovës.

Ai falënderoi ndërkaq sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe zyrën e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, që shprehën kundërshtimin e tyre ndaj mënyrës së votimit të ushtrisë, që sipas tyre është dashur të ndodhë në një proces gjithëpërfshirës dhe nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

Por, ndryshimet e tilla ishin pamundësuar për shkak të qëndrimit kundërshtues të Beogradit dhe serbëve të Kosovës ndaj ushtrisë së saj.

Beogradi druan se ushtria e Kosovës mund të përdoret kundër pakicës serbe posaçërisht në veriun e Kosovës, ndërsa autoritetet në Prishtinë thonë se ushtria është e të gjithëve dhe kurrë nuk do të përdoret kundër qytetarëve të saj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ushtria do të jetë partnere edhe më ushtrinë e Serbisë ndërsa ritheksoi gatishmërinë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Ai bëri thirrje për një konsensus në shkallë të gjerë për këtë proces, që duhet të përmbyllet “duke respektuar kushtetutën, sovranitetin dhe integritetin e vendit”.

Edhe rezoluta e propozuar për seancën e së shtunës parasheh që të mos bisedohet asnjëherë për tema që mund të prekin tërësinë tokësorë të Kosovës.

Gjatë verës presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje që do të mund të prekte edhe kufijtë ndërmjet të dyja vendeve.

Presidenti Thaçi, hodhi idenë “korrigjimit të kufirit” që sipas tij, nënkuptonte bashkimin e Luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë me Kosovën.

Presidenti Vuçiç, hodhi idenë e ‘vënies së kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, që nënkupton ndarjen e Kosovës asisoj që veriu i saj më shumicë serbe t’i takojë Serbisë.

Idetë e tyre nxiten reagime në Kosovë dhe Serbi por edhe skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do të mbështesnin mundësinë e prekjes së kufijve nëse palët pajtohen dhe atyre që pohojnë se kjo do të shkaktonte reagime zinxhirore në Ballkan.

Presidenti serb tha kohëve të fundit se ideja e tij ka rënë poshtë meqë “opinioni serb nuk e mbështeti atë”.

Presidenti Thaçi në një intervistë për Zërin e Amerikës në fund të nëntorit tha se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, që do të çonte në një njohje të ndërsjellë të të dy shteteve si vende sovrane, nuk mund të arrihet pa definimin e kufirit me Serbinë.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që është kusht për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG