Lidhje

Bllokim rrugësh në Kosovë në kundërshtim të zgjedhjeve serbe


Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, u bëri thirrje të mërkurën autoriteteve të Kosovës që t’u mundësojnë qytetarëve që duan pjesëmarrjen ne tubimet për zgjedhjet presidenciale të së dielës në Serbi.

Komentet e saj pasuan njoftimet se grupe qytetarësh kanë bllokuar disa nga rrugët kryesore në Kosovë për të kundërshtuar fushatën e partive politike serbe. Protetsueist u bënë thirrje serbëvë të Kosovës që të drejtohen nga Prishtina, Brukseli e Ëashingtoni dhe jo nga Beogradi dhe Moska.

Rrugët pas një kohe janë zhbllokuar meqë protestuesit kuptuan se kryeministri serb Aleksandër Vuçiç braktisi planin për të qëndruar në veriun e Kosovës për të marrë pjesë në një tubim të partisë së tij.

Zëdhënësja e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, tha se Brukseli "po i ndjek me vëmendje zhvillimet në veriun e Kosovës për shkak të vizitës së zyrtarëve serbë për zgjedhjet presidenciale në Serbi. Përshëndesim vizitat e tilla që janë të caktuara në bazë të marrëveshjes në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe është për keqardhje që vizitat e planifikuara në kuadër të marrëveshjes nuk janë zhvilluar". tha ajo.

Ndaj bllokimit të rrugëve ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke i cilësuar këto veprime si “bllokim i rrugëve të Kosovës në botë”.

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, anuloi planet për të qëndruar të mërkurën në Kosovë për të mbajtur tubim para zgjedhjeve presidenciale të së dielës në Serbi, meqë siç u shpreh "nuk pranon urdhra e shantazhe nga Prishtina".

Të martën gjatë ditës, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj tha se Aleksandër Vuçiçit i është dhënë leje të qëndrojë në Kosovë "si shenjë e vullnetit të mirë kundruall miqve ndërkombëtarë si Gjermania dhe Bashkimi Evropian".

Qeveria e Kosovës, sipas medieve lokale, i kishte kërkuar atij të mos shoqërohet nga ministri i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviç, dhe ministri i Brendshëm, Nebojsha Stefanoviç.

"Nuk vjen në shprehje kjo lloj trysnie dhe cirku që ka bërë Prishtina", i tha televizionit shtetëror serb kryeministri Vuçiç, duke theksuar se ka vendosur të mos shkojë në Kosovë "për të mos vënë në pozitë të vështirë qytetarët e komunitetit serb".

Zgjedhjet presidenciale në Serbi mbahen më 2 prill dhe Vuçiç është kandidati kryesor. Serbët e Kosovës planifikojnë të votojnë të dielën sikundër kanë bërë edhe në të kaluarën në zgjedhjet serbe, por ende nuk është e qartë se si do të mbahen këto votime.

Në të kaluarën Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, kishte hapur qendra votimi për t’u mundësuar pjesëtarëve të komunitetit serb që të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë në një operacion që ishte quajtur “grumbullimi i votave”.

Zonja Kocijançiç tha se "OSBE-ja duhet të ndërmjetësojë në mbledhjen e votave në Kosovë për zgjedhjet presidenciale në Serbi, bazuar në praktikat e mëhershme dhe në përputhje me marrëveshjet në Bruksel".

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian. Pjesë e marrëveshjeve është edhe lejimi i vizitave të ndërsjella. Në muajin janar Prishtina zyrtare nuk i dha leje presidentit aktual serb Tomislav Nikoliç që të qëndrojë për një vizitë në Kosovë me rastin e krishtlindjeve ortodokse.

Zgjedhjet e së dielës në Serbi shihen si sprovë për politikat e kryeministrit aktual serb që ecën në vijën e ngushtë ndërmjet aspiratave për anëtarësim në BE dhe lidhjeve të ngushta me Rusinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG