Lidhje

Serbia fillon në janar bisedimet për anëtarësim në BE


Këshilli i ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, vendosën që negociatat për anëtarësim me Serbinë të fillojnë në muajin janar të vitit 2014.

Ndonëse 21 janari është përmendur si datë e mundshme, ajo pritet që përfundimisht të caktohet nga kryesuesja e radhës e BE-së, Greqia e cila merr përsipër këtë detyrë nga një janari.

Vendimi i cili duhet të miratohet nga Këshilli Evropian në takimin e 19 dhe 20 dhjetorit, pasoi raportimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila e ka cilësuar mbresëlënës përparimin në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke bërë thirrje për hapjen e negociatave për anëtarësim të kësaj të fundit.

Në përfundimet e takimit, sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, kërkohet nga Prishtina dhe Beogradi që të lidhin “një marrëveshje ligjore për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, para se Serbia të bëhet anëtare e Bashkimin Evropian”.

Ministrat e jashtëm që diskutuan procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, mbështetën edhe hapjen tashmë të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën.

Bisedimet me Serbinë ishin ato që siguruan fillimin e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit që pritet të përmbyllen në pranverën e vitit që po vjen, me plane që marrëveshja të nënshkruhet në fillim të verës së ardhshme.

Serbia e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, u angazhua në procesin e bisedimeve që i siguruan fillimisht rekomandimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e tashmë edhe fillimi formal të tyre muajin që vjen.
XS
SM
MD
LG