Lidhje

Kosova në debate rreth ideve për "korrigjimin e kufijve" me Serbinë


Partitë opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje, bojkotuan punimet e parlamentit të Kosovës, duke kërkuar që të diskutohet për rezolutën e propozuar prej tyre për të penguar presidentin Hashim Thaçi, që të bisedojë me Serbinë për "korrigjimin e kufijve".

Presidenti Thaçi ritheksoi të enjten idenë e tij për korrigjimin e kufijve si rrugë për të siguruar njohjen e ndërsjellë me Serbinë.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti tha se për shkak të mos thirrjes së seancës së jashtëzakonshme të kërkuar nga opozita, "në të cilën 51 deputet të nënshkruar kanë kërkuar miratimin e Rezolutës e cila mbron territorin e Republikës së Kosovës, i cili kohëve të fundit po diskutohet hapur nga ana e presidentit të Republikës së Kosovës, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk do të marr pjesë në seancën e rregullt të ftuar sot nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës. Mos thirrja e seancës së jashtëzakonshme të ftuar nga ana e opozitës së Kuvendit të Kosovës me arsyetimin se për të duhet t'i mblidhni 61 deputet, është kundër kushtetuese po ashtu sikurse dhe mos thirrja e seancës, andaj ne nuk do të marrim pjesë në këtë seancë deri sa të ftohet seanca e jashtëzakonshme".

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se "duhet të votohet ajo rezolutë që e pengon Hashim Thaçin me vazhdua eksperimentin e tij të rrezikshëm për hapjen e kufijve të Kosovës, që me ia vë një pengesë të pakapërcyeshme, vetëm në këto kushte opozita pajtohet të vazhdojë jeta parlamentare”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se asnjë marrëveshje me Serbinë nuk do të ketë kuptim dhe ai nuk do ta nënshkruajë, nëse nuk nënkupton njohje të ndërsjellë.

Presidenti Thaçi, i cili gjatë ditëve të kaluara ka qëndruar në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni, tha se vendet e rajonit mbështesin bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të mbështesin një marrëveshje që siguron paqe e qëndrueshmëri në rajon.

"Korrigjimi i kufirit është i mundshëm dhe i siguron Kosovës njohjen e drejtpërdrejtë nga Serbia, si dhe bashkimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Njohja nga Serbia i siguron Kosovës njohjen edhe nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë këtë", tha presidenti Thaçi, duke nënvizuar se njohja e ndërsjellë, nënkupton edhe shmangien e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të thotë njohje globale të Kosovës dhe anëtarësim të saj në organizatat ndërkombëtare.

Ai bëri thirrje që ekipi negociues i qeverisë së Kosovës të funksionalizohet, të zgjerohet dhe të jetë gjithëpërfshirës.

Opozita ka refuzuar të bëhet pjesë e një grupi të tillë, që sipas saj, do t'i shërbente presidentit dhe ideve të tij për ndryshimin e kufijve.

Partitë opozitare, i kanë dërguar një letër shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini, në të cilën shprehin siç thuhet, pakënaqësinë "lidhur me idenë që po diskutohet për shkëmbim të territoreve apo korrigjim të kufijve. Ide këto të cilat nuk do të kenë mbështetje dhe çfarëdo marrëveshje e cila derivon nga ide të tilla nuk do të përkrahet".

Në letër kërkohet që faza përfundimtare e bisedimeve me Serbinë "të bazohet në parime të qarta si dhe në një kornizë të qartë, duke mos lënë anash subjektivitetin shtetëror të Kosovës i cili është përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë, Opinion e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe faktin se Kosova është pranuar nga shumica e kombeve të lira të botës".

Derisa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ngulë këmbë për idene e tij për korrigjimin e kufirit, që nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë me Kosovën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vucic, e ka shpallur politikë të tij vënien e kufijve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve që nënkupton ndarjen tokësore të Kosovës.

As njëri dhe as tjetri nuk kanë shpalosur ndonjë hollësi se si mund të dukeshin në terren zgjidhjet e tilla që përveç reagimeve të brendshme në Serbi dhe Kosovë, nxitën ndarje edhe në skenën ndërkombëtare midis atyre që mbështesin një ndryshim, nëse bëhet me pajtimin e palëve dhe atyre që e kundërshtojnë atë, për shkak të pasojave që mund të kishte për rajonin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG