Lidhje

Arrestohet drejtori i policisë së Mitrovicës


Policia serbe tha se ka arrestuar një shqiptar nga Kosova në bazë të një urdhër arresti “të lëshuar me urdhër të Gjykatës së Lartë në Nish për veprën penale të terrorizmit”.

Në një njoftim të ministrisë së brendshme serbe thuhet se Nehat Thaçi, nga Ferizaj i Kosovës, u arrestua të mërkurën në mbrëmje rreth orës 20 në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Konçul.

Ai është dërguar në paraburgim "në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë në Nish", një vendim i vitit 2010.

Nehat Thaci është drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës.

Policia e Kosovës nëpërmjet Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, ka kërkuar sqarim zyrtar nga pala serbe.

Zoti Thaçi, në kohën e arrestimit, sipas policisë së Kosovës, nuk ishte në detyrë zyrtare, por po udhëtonte më një mik të tij nëpër territorin e Serbisë për në shtetet perëndimore.

Autoritetet serbe kanë mbajtur gjykime në mungesë dhe kanë lëshuar urdhër arreste në disa raste për ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, që të mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës.

Kërkesat kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të pjesëtarëve dhe ish drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.

XS
SM
MD
LG