Lidhje

Trepça përplasë Kosovën dhe Serbinë


Beogradi thotë se përplasjet rreth kompleksit të minierave Trepça në Kosovë, mund të rrezikojnë edhe procesin e bisedimeve ndërmjet palëve.

Qeveria e Serbisë tha të dielën se nuk do të pranojë asnjë vendim të qeverisë së Kosovës lidhur me kompleksin e minierave Trepça, duke paralajmëruar se kjo do të rrezikonte bisedimet Kosovë – Serbi dhe mund të destabilizojë situatën e sigurisë në veriun e Kosovës.

Beogradi reagoi me zemërim ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të miratuar projektligjin që i ndërron pronësinë e kompleksit të minierave “Trepça”. Projektligji do të diskutohet të hënën në procedurë të përshpejtuar në parlamentin e Kosovës. Vendimi që Trepça të shndërrohet në ndërmarrje publike, u mor pasi që Gjykata e lartë e Kosovës vendosi që ajo të hyjë në procesin e likuidimit nga data dy shkurt. Qeveria e Kosovës tha se po synon të shpëtojë Trepcën nga falimentimi i cili do të linte pa punë mijëra veta.

Trepça përplasë Kosovën me Serbinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:47 0:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se pronarët e Trepçës janë të qartë ndërsa i cilësoi të paqëndrueshme pohimet se kjo çështje mund të ndikojë në bisedimet Kosovë - Serbi.

Këto vendime kurrsesi nuk duhet të ndikojnë në procesin e dialogut edhe në marrëdhëniet që ne dëshirojmë t'i konsolidojmë me Serbinë sepse është një organizatë që është në territorin e Republikës së Kosovës, që janë pasuri të Republikës së Kosovës dhe ne do të mundohemi që këto pasuri t'i shfrytëzojmë në interes të të gjithë qytetarëve”, tha kryeministri Mustafa.

Beogradi ngulë këmbë se pronari kryesor i Trepçës është fondi për zhvillim i Serbisë. Drejtori i zyrës serbe për Kosovën Marko Gjuriç, tha se nga kompleksi Trepça varen rreth 4 mijë serbë në Kosovë dhe rreth 20 mijë anëtarë të familjeve të tyre. Vendimet e Prishtinës tha ai, e zhvlerësojnë tërë procesin e bisedimeve në Bruksel.

Për diç të tillë në gjuhën serbe ka një fjalë – plaçkitje dhe rrëmbim. Porosia jonë për zotin Mustafa, zotin Thaçi dhe ata që vendosin në Prishtinë është mos e prekni atë që na takon”, tha ai në një konferencë me gazetarë në Beograd në të cilin morën pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Branimir Stojanoviç, dhe dy ministra të qeverisë së Kosovës Aleksandër Jablanoviç dhe Lubomir Mariç.

Zyrtarët serbë thanë se me veprimet e saj rreth pronësisë mbi Trepçën, Prishtina mund të destabilizojë situatën në Kosovë dhe se që nga nesër punonjësit serbë do të mund të hidhen ne grevë.

Kompleksi Trepça është administruar deri tash nga Agjencia e Privatizimit, e cila nuk ka arritur te gjejë një zgjidhje për këtë kombinat, që dikur ishte gjigant ekonomik i Kosovës dhe një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet e tetëdhjeta, ku punonin mbi 20 mijë punëtorë.

Kompleksi që ndodhet në Mitrovicë është i ndarë sikurse edhe vete qyteti. Minierat ndodhen në pjesën e banuar me shumicë shqiptare, ndërsa shkritoret dhe kapacitetet tjera prodhuese në pjesën e banuar me shumicë serbe. Përfshirja e Trepçës në procesin e privatizimit është pamundësuar për shkak të pretendimeve serbe dhe shitjes së aksioneve të saj gjatë viteve të 90-ta, kur administrohej nga Beogradi.

Qeveria e Kosovës thotë se vendimet e saj nuk përjashtojnë trajtimin e kërkesave të kreditorëve të kompleksit.

Ne në mënyrën më të përgjegjshme do ta analizojmë këtë dhe do t’i marrim vendimet që njëherë Trepça të shpallet kompani publike dhe pastaj mbi Trepçën të sillet një ligj i veçantë i cili më vonë do të rregullojë se si do të menaxhohet në mënyrë korporative Trepça dhe si pastaj do të procedohet me detyrimet që i ka Trepça”, tha të premten kryeministri i Kosovës.

Ndonëse të dyja palët thonë se Trepça ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik, ekspertët thonë se duhen investime shumë të mëdha për të mundësuar shfrytëzimin e rezervave kryesisht të plumbit e zinkut me vlerë që llogaritet të arrijë në rreth 10 miliardë euro.

XS
SM
MD
LG