Lidhje

Zhvillime të reja rreth vrasjes së vëllezërve Bytyçi


Zyrtarë të drejtësisë në Serbi thanë se janë gjetur prova të reja mbi përgjegjësit për vrasjen e tre shtetasve amerikan në fund të luftës në Kosovë

Prokurori serb për krime të luftës, Vladimir Vukçeviç, ka deklaruar se ka të dhëna të reja për përfshirjen e disa pjesëtarëve të policisë së Serbisë në vrasjen e tre shtetasve amerikan me prejardhje nga Kosova në vitin 1999.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Në muajin korrik të vitit 1999 ata janë arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë. Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.

Katër ditë para skadimit të dënimit, ata janë marrë nga burgu dhe janë dërguar në Petrovo Selo ku janë vrarë nga afërsia. Trupat janë gjetur në varrezë masive me duar të lidhura me tela.

Prokurori serb u tha medieve në Beograd se “të dhënat e reja dëshmojnë se personat e përfshirë drejtpërdrejt në vrasje, kanë qenë ose janë pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme”.

Pohimet e tij pasuan shtimin e trysnisë amerikane ndaj autoriteteve të Beogradit për të ndriçuar rrethanat e vrasjes dhe për të vënë autorët para drejtësisë

Në fund të muajit të kaluar ligjvënësit amerikan Eliot Engel dhe Michael Grimm paraqitën në Kongres një Rezolutë me të cilën kërkohet që Beogradit të ndjekë autorët e vrasjes duke nënvizuar se Përparimi në zgjidhjen e këtij rasti, apo mungesa e tij, duhet të jetë faktor thelbësor në zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.

Që nga vitit 2006 ka pasur dy procese gjyqësore ndaj dy ish policëve serb, të cilët vitin e kaluar janë lënë të lirë. Zhvillimi i proceseve ishte përcjellë me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes.

Familja dhe veprimtarët e Fondit Humanitar në Beograd, kanë shprehur bindjen se në këtë vrasje ishin të përfshirë edhe ish zyrtarë të lartë serb, në mesin e të cilëve ish komandanti i Njësisë së Posaçme Antiterroriste të Serbisë, Goran Radosavleviç, i njohur me nofkën Guri.
XS
SM
MD
LG