Lidhje

Zhgënjim me lirimin e të dënuarit serb për krime në Kosovë


Fatos, Jehona dhe Saranda Bogujevci, si fëmijë i kishin mbijetuar një masakre në Podujevë në vitin 1999. Në vitin 2013 ata hapën në Beograd një ekspozitë fotografish që dëshmojnë për krimet e forcave serbe.

Fondi për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd dhe deputetja e parlamentit të Kosovës, Saranda Bogujevci, dënuan vendimin e Gjykatës së Lartë të Beogradit për të liruar nga burgu një të dënuari që ishte përfshirë në vrasjen e 14 civilëve në Kosovë në vitin 1999.

Sasha Cvjetan, si pjesëtar i njësitit “Skorpionët”, i cili vepronte në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, më 28 mars të vitit 1999, në oborrin e familjes Gashi në Podujevë, rreth 45 kilometra në veri të Prishtinës, kishte marrë pjesë në vrasjen e 14 civilëve, gra dhe fëmijë të dy familjeve; Bogujevci dhe Duriqi. Pesë fëmijë nga grupi prej 19 vetash sa ishin marrë për t'u vrarë nga forcat serbe, mbijetuan.

Në vitin 2005, Sasha Cvjetan, ishte dënuar me 20 vjet heqje lirie. Gjykata në Beograd tha se tashmë ai kishte kaluar dy të tretat në burg dhe mund të lirohet.

Në vitin 2009, gjykata për krime të luftës në Beograd, i dënoi tre të akuzuar të tjerë për këtë vrasje me nga 20 vjet burg dhe të akuzuarin e katërt me 15 vjet heqje lirie.

E mbijetuara e masakrës, Saranda Bogujevci, aktualisht deputete në parlamentin e Kosovës, tha të enjten në Prishtinë se lirimi para kohe i njërit nga autorët e vrasjeve, është i papranueshëm dhe zhgënjyes.

"Kjo na bënë të kuptojmë si familje që Serbia nuk është e interesuar sa i takon drejtësisë. Nuk është e interesuar që t'i dënojë dhe të mbajë dënimin për kriminelët e luftës për krimet që i kanë bërë në Kosovë dhe nuk janë duke e marrë seriozisht këtë çështje", u tha ajo gazetarëve në Prishtinë.

Fondi për të Drejtën Humanitare, kritikoi ashpër vendimin e gjykatës, i cili, siç thuhet në një reagim,"e bën dënimin të pakuptimtë, ndërsa zhvlerëson vuajtjet e viktimave".

Saranda Bogujevci, e cila ishte 14 vjeçe kur kishte ndodhur masakra në të cilën ajo ishte plagosur me 16 plumba, tha se institucionet e Kosovës, por edhe komuniteti ndërkombëtar, duhet të bëjnë trysni mbi Serbinë që të kuptojë dhe të mbajë përgjegjësi për krimet që i ka kryer në Kosovë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG