Autoritetet në Kosovë kërkuan nga Bashkimi Evropian që të veprojë për të penguar zyrtarët e Beogradit që t’i japin fund përndjekjes së përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë.
Thirrjet pasuan njoftimet se Sërgjan Jovanoviç, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është ndaluar të enjten nga policia serbe në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Partia Liberale serbe e Kosovës, tha se ai është ndaluar në vendkalimin kufitar “Dheu i Bardhë”, derisa po udhëtonte për në qytetin e Vranjës në jug të Serbisë për arsye personale.
“Nuk i kuptojmë këto ndalesa dhe maltretime dhe kërkojmë përgjigje dhe sqarim nga ana e presidentit të Serbisë, kryeministres dhe shefit të Shërbimit Informativ pse përfaqësues të lartë të kësaj partie po ndalohen në territorin e Serbisë” thuhet në një njoftim të kësaj partie.
Ndalja e zotit Jovanoviq nxiti reagime të përfaqësuesve politikë të Kosovës të cilët i bënë thirrje Bashkimit Evropian të reagojë dhe të kërkojë ndaljen e veprimeve të tilla nga Serbia.
Kryeministri Ramush Haradinaj përmes një postimi në rrjetet sociale tha se ndalimet e tilla nuk i ndihmojnë normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. “Ky ndalim që nuk është i pari i kësaj natyre edhe një herë dëshmon qartë se metodat e frikësimit që përdoren nga autoritetet serbe janë një shenjë agresioni karshi qytetarëve të Kosovës” shkroi kryeministri Haradinaj.
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se ky veprim është i papranueshëm. “Ky veprim synon të përndjekë serbët e Kosovës që duan të integrohen në shtetin tonë. Ky është një akt që ka për qëllim nxitjen e urrejtjes dhe pasigurisë te serbët e Kosovës”, shkroi zoti Veseli.
Gjatë muajve të fundit, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë ndaluar dhe intervistuar nga Shërbimi serb i zbulimit edhe Slobodan Petroviç, deputet i parlamentit të Kosovës dhe kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, si dhe të paktën tre bashkëpunëtorë të tij.
Po ashtu janë shënuar shpesh raste të ndalimit e marrjes në pyetje të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovë nga radhët e komunitetit serb.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë, protestoi kundër ndalimit të sotëm, duke e cilësuar atë si “të motivuar politikisht, me porosi të qartë se ky fat i pret të gjithë ata që e kundërshtojnë politikën e Serbisë në Kosovë dhe që nuk janë në një linjë me Listën Serbe”.
Facebook Forum