Lidhje

Hoti: Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa njohje të ndërsjellë


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha të shtunën se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të çojnë në njohje të ndërsjellë dhe pa këtë njohje nuk mund të ketë marrëveshje ndërmjet tyre.

Ai i bëri këto komente duke reaguar ndaj një deklarate të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se vendi i tij nuk do ta njohë Kosovën, për aq kohë sa ai është president.

Presidenti serb tha në një intervistë për televizionin serb TV Prva se "derisa të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi më 2022, nuk do të ndodhë njohja e Kosovës...Pas kësaj është populli ai i cili do të vendosë", tha ai.

Kryeministri Hoti në një postim në facebook të shtunën tha se Kosova mbetet e përkushtuar që të gjitha çështjet e hapura me Serbinë të përmbyllen përmes dialogut, i cili po zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së.

"Deklaratat se fqinji ynë verior nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës nuk i kontribuojnë dialogut. Dialogu ka rifilluar mbi parime të qarta për marrëveshje përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke, dhe nuk do të ketë marrëveshje të pjesshme. Nëse nuk do të ketë njohje reciproke, atëherë nuk do të ketë as marrëveshje", shkroi kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti u takua në dy raste në Bruksel me presidentin serb Vuçiç në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, që është kusht për përparimin në integrimet evropiane.

Të dy udhëheqësit nënshkruan më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë një dakordim për normalizim të marrëdhënieve ekonomike, ndërsa çështjet politike i janë lënë Brukselit.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 janë duke biseduar më ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe kanë nënshkruar një varg marrëveshjesh, një pjesë e të cilave nuk janë zbatuar kurrë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG