Lidhje

Protestat ndaj ndalimit të politikanëve serbë të Kosovës nga policia e Serbisë


Arkiv

Sllobodan Petroviç, kryetar i Partisë Liberale Serbe të Kosovës, kërkoi të premten reagimin e Bashkimit Evropian lidhur me ndalimet dhe intervistimet nga policia serbe, të anëtarëve të kësaj partie, sa herë që ata kalojnë kufirin dhe hyjnë në Serbi.

Ai i bëri këto komente pak pasi që ne krye të një grupi nga partia e tij kaloi vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë, në shenjë solidarizimi me bashkë partiakun, njëherësh këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Sërgjan Jovanoviç, i cili u ndalua të enjten nga policia serbe në një vendkalim kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zoti Petroviç tha se këto veprime po ndodhin me direktiva të Beogradit ndërsa i ka cilësuar si të padrejta dhe mesazhe frikësuese.

“Nga ky vend duam të dërgojmë porosi të qartë që ne asnjëherë nuk kemi punuar kundër interesave të Serbisë, nëse gabimi jonë më i madh është që ne si serbë jemi pjesë e institucioneve të Kosovës dhe kemi bërë shumë për komunitetin serb, atëherë ne e pranojmë atë gabim”, tha zoti Petroviq.

Ai kërkoi nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, t’i lejojë serbët e Kosovës të jetojnë të qetë dhe në paqe në Kosovë.

“I them presidentit të Serbisë Vuçiç se ne nuk punojmë kundër Serbisë. Unë jam shumë më i vogël nga ju, unë nuk bëj garë me ju, as që punoj kundër jush, as që kam dëshirë për këtë. Apeloj te ju dhe te bashkëbiseduesit tuaj, të na lini të jetojmë si njerëz, nëse nuk keni mundësi të na e ofroni ndonjë ndihmë”, tha zoti Petroviq.

Ndërkohë, vet zoti Jovanoviç, tha se pyetjet që ia kanë bërë dje nga përfaqësuesit e policisë serbe, kanë të bëjnë me punën e tij në qeverinë e Kosovës.

“Pyetjet ishin kryesisht se përse jeni pjesë e qeverisë së Kosovës, pse bashkëpunoni me ta dhe pse nuk bëheni pjesë e Listës Serbe", tha zoti Jovanoviç.

Ndalimi i tij nxiti reagime të përfaqësuesve politikë të Kosovës të cilët po ashtu i bënë thirrje Bashkimit Evropian të reagojë dhe të kërkojë ndaljen e veprimeve të tilla nga Serbia, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe që dëmtojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të premten se qeveria e Kosovës do të shqyrtojë mundësitë për kundërpërgjigje ndaj veprimeve të tilla.

“Janë shpeshtuar këto arrestimet e zyrtarëve të qeverisë së Kosovës në Serbi në kufi, pra të serbëve që janë pjesë e qeverisë. Dje këshilltarin tim Sërgjan Jovanoviç, e kanë mbajtur dhe realisht nuk janë sjellë në rregull me të. Kjo po bëhet një presion i vazhdueshëm, ne atëherë do ta shqyrtojmë si qeveri edhe ndonjë kundërmasë që do të ishte ndalimi i vizitave të zyrtarëve serbë që vijnë në Kosovë, në rast se zyrtarët e qeverisë tonë keqtrajtohen në kufi”, tha zoti Haradinaj.

Gjatë muajve të fundit, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë ndaluar dhe intervistuar nga Shërbimi serb i zbulimit edhe Slobodan Petroviç, deputet i parlamentit të Kosovës dhe kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, si dhe të paktën tre bashkëpunëtorë të tij.

Po ashtu janë shënuar shpesh raste të ndalimit e marrjes në pyetje të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovë nga radhët e komunitetit serb.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG